Gjilan

Haziri: Kujdesuni për veten dhe të tjerët që të mos kemi nevojë për ashpërsim të masave

 

Komiteti i Gjilanit për menaxhimin dhe parandalimin e përhapjes së COVID-19,  është njoftuar të shtunën për rastet më të reja pozitive me virus, ndërkohë që kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, ka kërkuar nga qytetarët t’i respektojnë masat anti Covid, në mënyrë që të ulen rastet e infeksionit dhe që të mund të ndërmerren veprime për të lehtësuar masat.

Në të kundërtën, nëse shtohen rastet e të infektuarve dhe i atyre që përfundojnë me vdekje, do të duhej ashpërsuar ato, tha ai.

I pari i Komunës së Gjilanit tha se duke iu referuar IKSHPK-së, sot kemi edhe tetë raste të reja me COVID-19 në Gjilan dhe disa raste që janë shëruar për gjatë 48 orëve të fundit.

“Tani kemi 153 raste aktive me Covid-19, prej të cilëve 38 janë të hospitalizuar në Spitalin e Gjilanit, ndërsa nuk kemi qytetarë tanë që janë të shtruar në QKUK apo klinika tjera”, tha Haziri.

“Po punojmë që këta qytetarë të prekur ta marrin trajtimin e duhur, kujdesin intenziv i mjekëve po bënë që ta përballojmë sa ma mirë situatën”, ka shtuar Haziri.

Haziri ka vlerësuar lartë mjekët në gjinekologji ku kemi pasur një lindje të suksesshme të një fëmije të shëndoshë nga një nënë e cila ka qenë me COVID-19. Pas procedurave, ajo është liruar në shtëpi në vetizolim.

“Ju lutem ruajeni pak vetën tuaj, familjen tuaj dhe të tjerët, në këtë situatë, në mënyrë që të mos na detyeomi t’i shtrëngojmë masat.  Ky është shqetësimi im i vazhdueshëm sepse rritja e numrit të të infektuarve dhe i rasteve të vdekjes do të na detyrojë me i shtrëngu masat”, ka thënë kryetari Haziri, i cili megjithatë paralajmëroi lehtësim të masave duke përmendur faktin që nga e hëna do të fillohet me hapjen e çerdheve,  fitneseve, sporteve edukuese.

“Ne, të hënën po planifikojmë me i hap çerdhet. Ende nuk kemi konfirmim se cilat çerdhe në çfarë kohe, por në kuadër të lehtësimit të masave i ftoj menaxhmentin e çerdheve, edhe publike edhe private, që të përgatiten, ne do t’i hapim çerdhet, sallat e sportit edukues, fitneset…”, ka thënë Haziri duke shtuar se për klubet e futbollit Gjilani e Drita, do të krijojnë kushte të veçanta për përgatitje sepse ato klube do të na përfaqësojnë në Evropë.

Ai ka kërkuar nga qytetarët të vazhdojnë të bashkëpunojnë me institucione që ta përballojmë sa ma lehtë gjendjen me COVID19 dhe që të kemi sa ma shumë lajme të mira.

E lajme të mira, Haziri tha se janë ato kur përfundojmë një ditë pa viktima, pa njerëz që e humbin betejën me COVID, dhe kur kemi numër sa më të vogël të të infektuarve.

Përndryshe, Haziri ka kërkuar nga qytetarët që të njoftojnë institucionet përkatëse për shkelje të masave të Covid-it, mos respektim të orarit, siç ka ndodhyr në lagjen Dardania ku qytetarët kanë bashkëpunuar dhe organet përkatëse kanë reaguar.

“Nuk lejohet muzikë live në asnjë klub, lokal a restorant, madje as me DJ.  Nuk lejohen tubime, mitingje, ahengje e organizime, sepse na detyron masa për shpërndarje”, tha Haziri.

“Ju lutem respektoni masat, është kohë pandemia dhe jeta e njerëzve është e rëndësishme dhe më e vlefshme se gjithçka tjetër”, ka thënë kryetari Haziri, për të shtuar se janë duke punuar shumë me ekipin edhe për shëndetin e ekonomisë dhe kjo është arsyeja pse kanë bërë shumë presion si Gjilan që me u hap çerdhet, me u shty orari i punës për gastronominë, me u hap klubet e fitnesit, e shkollave sportive që kanë edukim për fëmijë.

“Na jepni neve mundësinë që ta kemi në dorë një armë të fuqishme, t’i kemi faktet për disiplinë dhe lojalitet që të shkojmë drejt largimit total të disa masave rënduese sepse me pandemi do të vazhdojmë me jetue, por nëse jetojmë me kujdes, numri më i vogël i të infektuarve është ajo që ka me i determinue masat”, ka thënë Lutfi Haziri, kryetar i komunës së Gjilanit.

You Might Also Like