Gjilan, 2 qershor 2020 / Kuvendi Komunal i Gjilanit, në seancën e sotme, të parën pas lehtësimit të masave kundër pandemisë, të kryesuar nga Shpresa Kurtshi-Emni ka shqyrtuar raportin e punës për vitin 2019 të kryetarit të Komunës, raportin financiar janar-dhjetor 2019, ndërkaq dy pika të tjera i ka shtyrë për seancat tjera.
Rikthimin e Kuvendeve Komunale në punë e ka lejuar MAPL-ja, pas konsultimeve me IKSHP, por kërkohet kujdes i shtuar për shkak të pandemisë, ka thënë kryesuesja Kurteshi-Emini.
Kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, në raportin e tij të punës për vitin 2019, ka nënvizuar të arriturat dhe sukseset, po edhe sfidat dhe vështirësitë me të cilat është përballur Komuna e Gjilanit gjatë kësaj periudhe kohore.
Haziri ka folur për punën e drejtorive, veç e veç, duke theksuar se raporti i përmban hollësitë për të gjithë sektorët dhe të gjitha fushat dhe shërbimet e tjera që prekin interesat e përditshme të qytetarëve.
Ndërkaq duke iu përgjigjur vërejtjeve të këshilltarëve opozitës, Nevad Isufi (VV), Riza Abdyli (PDK) dhe të tjerëve, rreth raportit, dinamikës së ngadalshme të disa prej projekteve si dhe punës së kryetarit në përgjithësi, Haziri ka thënë se ndërrimi i shpeshtë i qeverive ka bërë që të ndryshojnë edhe prioritet nëpër komuna.
“Ne kemi pasur vështirësi serioze në ruajtjen e prioriteteve komunale, për shkak të jo stabilitetit qeveritar”, ka thënë Haziri, duke shtuar se të gjitha programet janë të dokumentuara dhe të buxhetuara me iniciativën e komunës.
Sa i përket punimeve në qendër të qytetit, ku opozita pati vërejte, kryetari Haziri sqaroi se në këtë pjesë nuk po ndërtohet rrugë me katër krosi, as nuk do të prishen parqet, siç po thuhet, por po rigjenerohet qendra e qytetit, me gjithë infrastrukturën e nevojshme nëntokësore, përfshirë pastaj parqet, drunjtë dekorues, veçmas blirin si simbol të Gjilanit.
“Baballarët tanë e kanë bërë një qytet për nevojat e kohës, ndërsa sot qyteti i ka 60 mijë banorë dhe ka nevojë për infrastrukturë të re”, theksoi kryetari i Komunës, duke rikujtuar se sot Gjilani është një qytet që ka miq, të cilët e ndihmojnë në zhvillim e që dikur nuk i kishte.
Haziri tha se zona e parë e qytetit nuk ka kanalizim dhe krejt ujërat atmosferikë derdhen në qendër të qytetit, për shkak të konfiguracionit të terrenit.
“Po mundohemi që Gjilanin ta bëjmë qytet pa vetura në zonën e parë dhe të dytë, pasi të krijojmë zgjidhje alternative për trafik”, ka thënë kryetari Haziri, duke nënvizuar se kërkesat urbane zhvillimore nuk do të ndalen asnjëherë.
Ai ka dhënë sqarime edhe për disa projekte tjera, siç është palestrën në Zhegër, stadiumin e qytetit, shkollën e Arteve, rrugën në Vërbicë dhe të tjera, ndërkohë që sa i përket projektit të varrezave në “Zabel…”, i cili u kundërshtua shumë nga opozita, ai tha se e ka tërhequr vendimin dhe do të shikohet një lokacion tjetër.
Në debatin për raportin e kryetarit kanë marrë pjesë edhe këshilltarët Isa Agushi, Arta Haziri, Fitim Guda, Nehat Osmani, Bujar Nevzati, Arianit Sadiku, Arijeta Rexhepi dhe të tjerë, ndërsa përgjigje kanë dhënë nënkryetari i Komunës, Arbër Ismajli dhe drejtorët komunalë.
Ndërkaq, raportin financiar e ka prezantuar drejtori Zijadin Maliqi, i cili ka thënë se vitin e kaluar kemi operuar me një buxhet, i cili ka arritur në mbi 27 milionë dhe në këtë aspekt konsiderohet ndër vitet më të suksesshme.
Të hyrat kemi një tejkalim prej 2.57 për qind, derisa te shpenzimet nuk kemi qenë asnjëherë më mirë se në vitin 2019, ka thënë Maliqi, ndërkohë ka paraqitur edhe detaje tjera sipas kategorive.
Ndërkaq, sa i përket emërimit të Komisionit për zgjedhjen e drejtorëve dhe zëvendësdrejtorëve në institucionet arsimore, ku sqarime ka dhënë drejtori i Arsimit, Nazim Gagica, Bujar Nevzati (PDK) kërkoi që dy emrat e propozuar të tërhiqen dhe në seancën tjetër të sillen dy emra tjerë, për shkak se nuk i plotësojnë kriteret e nevojshme, propozim ky me të cilin u pajtua edhe Nevzad Isufi (LVV).
Pas sqarimeve shtesë që dha drejtori Gagica rreth mundësisë për ndryshime, Kuvendi u pajtua që kjo pikë të shtyhet për seancën e rregullt të muajit qershor.
Edhe Informata për gjendjen e pandemisë, me kërkesën e opozitës, është shtyrë për seancën tjetër.