Gjilan, 28 dhjetor 2018 – Nën udhëheqjen e kryetarit Lutfi Haziri,është mbajtur sot mbledhja e fundit për vitin 2018 e bordit të drejtorëve, zyrave dhe njësive, ku është raportuar për realizimin e projekteve, sfidat dhe planifikimi për vitin 2019.
Duke folur për investimet, Haziri tha se 2018-ta ka qenë vit i brisht në kuptimin politik, por tha se për Komunën e Gjilanit ka qenë vit shumë i mirë.
“Autostrada është projekti më i madh për këtë zonë, i cili ka filluar dhe më gëzon fakti që Komuna ka punuar shumë në përpilimin e planit ideor. Investime të mëdha kemi bërë edhe në infrastrukturë në shumën prej 3.2 milionë euro. Kemi filluar me ndërtimin e Rrugës së Kumanovës, vazhdimin e hyrje daljes Gjilan-Ferizaj, rrethrrotullimin te Rruga e Prishtinës, rrugët, kanalizimin e ujësjellësin në disa lagje dhe në fshatra të Gjilanit”.
“Po ashtu, e kemi bërë mbulimin e lumit “Mirusha” deri tek Rruga Qarkore, ndërkaq në pjesën e jugut kemi filluar me ndërtimin e shëtitores .Përpos këtyre, kemi filluar me rindërtimin e stadiumit të qytetit, kemi përfunduar dy stadiume ndihmëse, sikurse edhe që po vazhdojmë me ndërtimin e QKMF’së. Mbi 100 mijë euro e kemi subvencionuar teatrin sivjet dhe menaxhmenti e ansambli rezident, e ka kthyer Gjilanin në qendrën më të madhe kulturore”, ka thënë Haziri.
Në takimin e bordit, kryetari Haziri pohoi se është krenar që Gjilani komunë është prijëse sa i përket partneritetit me donatorët që janë qeveritë e ndryshe të botës.
“Me Komisionin Europian, USAID, HELP, SIDA etj., jemi duke i implementuar shtatë programe zhvillimore për Gjilanin në disa fusha dhe jam krenar që jemi komunë lidere edhe në këtë fushë”, ka thënë Haziri.
Për arsimin tha se vazhdon të mbetet prioriteti kryesor i qeverisjes, ndërkaq në bujqësi ka përmendur se vlera e subvencioneve të përbashkëta me Ministrinë e Bujqësisë arrin në mbi 1.2 milionë euro.
Në fund, kreu i Gjilanit ka paralajmëruar se në vitin 2019 janë të planifikuara afro 40 milionë euro investime publike.
“Projektet e mëdha, si stadium i qytetit, Tregu i Gjelbërt, impianti për trajtimin e ujërave të zeza, parqet dhe investimet kapitale që janë me hyrje-daljet Gjilan-Prishtinë dhe Gjilan-Ferizaj, janë të konfirmuara në politikat buxhetore. Investimet janë jashtëzakonisht të mëdha. Nëse krejt këto investime brenda vitit i grumbullojmë, pa autostratën si investim strategjik, Gjilan shkon në afro 40 milionë euro të planifikuara për vitin 2019, e të cilat janë të konfirmuara”, ka thënë Haziri.