Gjilan, 13 dhjetor 2018 – Kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, me bashkëpunëtorët e tij, ka marrë pjesë në inaugurimin e muraleve të punuara nga nxënësit e shkollës së gjimnazit natyror “Xhavit Ahmeti”, të cilat janë punuar në hapësirën e dedikuar për aktivitetet sportive në oborrin e kësaj shkolle.
Në fjalën e tij kryetari Haziri ka përgëzuar nxënësit për idetë e tyre kreative që kanë shfaqur në mënyrë artistike në këtë pjesë të oborrit të shkollës.
“Ky është art i punuar me profesionalizëm të lartë nga nxënësit e kësaj shkolle. Këto punime ishin të ndaluara në kohën e okupimit. Ky është një shembull i mirë që me vepra artistike të shfaqen idetë dhe kreativiteti i nxënësve. Këto punime do të jenë pjesë e kartolinave për festat e fundvitit, që Komuna e Gjilanit do t’i përgatit për t’i uruar festat institucioneve, misioneve diplomatike dhe miqësisë e partnerëve të shumtë që ka Gjilani”, ka thënë në fjalën e tij kryetari Haziri.
Kurse nxënëset të cilat kanë organizuar këtë projekt janë Valëza Sijarina, Edrena Avdiu, Agon Demiri dhe Diana Rexhepi, të cilat kanë falënderuar organizatën “Fiq”, e cila ka mbështetur dhe financuar këtë projekt.