Gjilan

Haziri takon ministrin Berisha, dakordohen për zhvillimin e projekteve të përbashkëta

22 shkurt 2019 –  Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka pritur në takim pune ministrin e Mbrojtjes, Rrustem Berisha, i cili për herë të parë viziton këtë komunë në këtë cilësi.

Kryetari Haziri e ka uruar ministrin Berisha për detyrën, ndërkaq janë dakorduar për punën e madhe dhe mbështetjen e transformimit të Ushtrisë sikurse edhe rolit të tyre në jetën civile, përderisa janë dakorduar për zhvillimin e projekteve të përbashkëta.

Gjatë këtij takimi është diskutuar edhe për komisionin e përbashkët për kampusin e Universitetit Publik “Kadri Zeka”, pasi në lokacionin aktual të Brigadës së Reagimit të Shpejtë të FSK parashihet që të ndërtohet kampusi në hapësirën prej 7.2 hektarëve, njofton Komuna e Gjilanit me anë të një kumtese për media.

 

Ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, e ka falënderuar kryetarin Haziri për pritjen, duke shfaqur gatishmërinë e bashkëpunimit sa i përket çështjes së kampusit dhe në fushat tjera në shërbim të qytetarëve. ​

You Might Also Like