Gjilan

Haziri: Urime 8 Marsi, dita e barazisë dhe zërit të ngritur në gjithë botën

Gjilan, 5 mars 2020 – Nën organizimin e Drejtorisë së Kulturës në Gjilan sot në shenjë simbolike është organizuar një takim në respektim të kontributit dhe respektit për femrat dhe gratë e Komunës së Gjilanit, për t’u shprehur atyre urimin për 8 Marsin, Ditën Ndërkombëtare të Gruas.

Në këtë takim, kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, ka thënë se në riformatimin e radhës përgjegjësia e femrave në udhëheqje do të jetë më e madhe për të krijuar një siguri në qeverisje dhe një energji më të madhe.

“Në riformatimin e radhës në udhëheqjen e drejtorive komunale do të ketë më shumë femra përkundër që tani kemi dy drejtoresha dhe kryesuesen. Qëllimi i emërimit më të madh të femrave në udhëheqje është siguri më e madhe për mua, punë më me përgjegjësi dhe është dëshmuar se edhe me shembuj të mëhershëm se ka më shumë rend dhe rregull. Prandaj, si administratë e shtetit, ju lutem që të shërbeni pa dallim sepse shërbimet janë për të gjithë ata që drejtohen në dyert e Komunës së Gjilanit. Jam i kënaqur me punën dhe profesionalizmin e treguar nga sektorët prej nga vini në institucione të ndryshme të Komunës së Gjilanit. Urime 8 marsi dita e barazisë dhe zërit të ngritur në gjithë botën. 8 Mars për juve duhet të jetë çdo ditë”, ka thënë kryetari Haziri në fjalën e tij.

Kryetari Haziri ka thënë se këtë vit do të ndërtohet në qytetin e Gjilanit statuja e heroinës për të përmbledhur me atë punën, përkushtimin, sakrificën, vuajtjet por edhe shpresën dhe energjinë që femrat kanë në shoqëri.

Kryesuesja e Kuvemndit të Komunës së Gjilanit, Shpresa Kurteshi-Emini ka vlerësuar shumë punën që bëhet në baza ditore nga gratë të cilat punojnë në institucionet e Gjilanit duke potencuar se janë pjesë e fuqishme e përmirësimit të jetës shoqërore dhe institucionale në Gjilan.

Ndërsa në fjalën e saj, deputetja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Valentina Bunjaku-Rexhepi, ka spikatur hapësirën që i jepet femrës në jetën institucionale në Gjilan nën udhëheqjen e kryetarit Haziri. Ajo ka konfirmuar angazhimin e përbashkët për përmirësimin e pozitës së gruas në shoqëri edhe nga pozita e saj që ka si përfaqësuesve e qytetarëve në Kuvendin e Kosovës.

E Deniza Limani, në emër të Drejtorisë së Kulturës, e cila është edhe organizatore e këtij takimi, ka thënë se ky është një takim simbolik për t’i uruar gratë të cilat punojnë në institucionet komunale derisa ka konfirmuar se me mbështetjen e kryetarit do të ketë gjithnjë organizime të cilat do të jenë në raport të vlerësimit të punës dhe njëkohësisht inkurajimit të femrës që të jetë edhe më shumë aktive në jetën shoqërore dhe institucionale.

You Might Also Like