Gjilan, 10 gusht 2019 – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, me rastin e festës së Kurban Bajramit ka uruar Bashkësinë Islame në Gjilan dhe qytetarët e besimit mysliman. Në mesazhin e urimit thuhet:
“I nderuari kryetar i Bashkësisë Islame në Gjilan, Naim Aliu,
Të nderuar qytetarë të komunës së Gjilanit,
Më lejoni që në emrin tim personal dhe të Komunës së Gjilanit, t’ju uroj festën e Kurban Bajramit, e cila përcillet me mesazhin e sakrificës për Zotin.
Kurban Bajrami thërret për solidaritet, që ta ndajmë të mirën bashkë dhe të kemi kujdes ndaj atyre që kanë nevojë çdo ditë, jo vetëm në festë. Thirrja më e madhe e kësaj feste është që të kujdesemi për jetimët, skamnorët dhe të pambrojturit
Zoti qoftë gjithmonë me ne dhe i bekoftë familjet tona me mirëqenie, mbarësi dhe harmoni. Urime Kurban Bajrami!”, thuhet në mesazhin e urimit të kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri.