Sportet me dorë

HENDBOLLI NË GJILAN- VLERË E BREZAVE TË QYTETIT

Nehat Osmani

Sot ndihet i mërzitur Arbër Sylejmani, reprezentues i Kosovës në hendboll sepse klubi i tij i zemrës KH“Drita” po largohet nga elita e hendbollit kosovar. Po shuhet sakrifica, djersa dhe ëndrra e tij dhe shokëve të tij bashkë me shuarjen e klubit të tyre.

Sot ndihen të mërzitur edhe shumë gjenerata të vjetra të hendbollistëve që i dhanë shkëlqimin qytetit tonë ndërsa krenarinë e mburrjen sportdashësve dhe qytetarëve tanë.

Janë të mërzitur që nga Muharrem GASHI e Durgut ABDULLAHU legjendar që edhe pas vdekjes së tyre sportin e hendbollit e bënë të pavdekshëm, Agim SHKODRA, Enver AVELA e baba KENË të ndjerë, të mërzitur janë edhe Muhamet AHMETAJ e Rifat PAJAZITI, këto legjenda të gjalla të hendbollit kosovar.

I mërzitur do t’ishte edhe sinonimi i tifozerisë gilanase Mehmet “DODA”, paraardhësi i “Intelektualëve” e “Skifterave” që valviste grushtin e një qyteti të tërë.

Këta që sot lejuan një sport kaq popullor në mesin e gjilanasve të shuhet nuk e kanë kuptuar asnjëherë traditën e lavdishme të hendbollit në Gjilan.
Nuk kanë dëgjuar asnjëherë që e diela paradite, ishte ditë feste e familjeve Gilanase kur prindërit merrnin fëmijët e tyre për dore për të mbushur shkallët e tribunave të fushës së hendbollit në përkrahjen e idhujve të tyre.

Kjo është qasja e kryetarit Haziri ndaj Sportit dhe Rinisë, kjo është qasja e drejtorisë së kulturës, rinisë e sportit ndaj të rinjëve e sportistëve të cilën Lutfi Haziri herë e shuan e herë e rikrijon.

Shikojeni kush e udhëheq komunën dhe do kuptoni gjendjen e Rinisë, shikojeni kush e udhëheq drejtorinë e Sportit do kuptoni gjendjen e Sportistëve.

Megjithatë shpresa e këtij sporti me traditë dhe këtyre hendbollistëve të spikatur në mungesë të përkujdesjes institucionale, mbetet tek qytetarët e saj, tek biznismenët e komunës sonë dhe tek hendbolldashësit e saj.

Hendbolli duhet të mbijetoj në Gjilan, hendbollistët e saj dhe vullneti i tyre i çeliktë duhet të triumfojnë ndaj neglizhencës së udhëheqjes komunale, KH “Drita” duhet të kthehet në elitën e hendbollit kosovar.

You Might Also Like