Sadete Tërnava – Osmani
Në Udinese kafenenë rrethuar me vetura
Pa asnjë gjethe druri për be
Nën një copëz dielli të krehur nga shiu
Vetë e treta
Me alter-egot ndërmjet
Ulur në karriget dorëz-hekurta rrimë
Një shtatë-dhjetëshe e dy amerikane në filxhanë letre
Po e jetojnë orën e tyre tek dëgjojnë për shkurret e trëndafilave
Lokalizmat kulturorë
Për luftën e paqen
Dashuritë në kohë demokracie
Pa Tolstoin e Markezin përreth
Kur thashë se gjarpër të parrezikshëm s’kam parë
E qe besa as burrë të urtë
Njëra shoqe thekshëm qeshi
E tjetra mëdyshas kundërshtoi
Jo, bijtë tanë të mirë janë!
Si në faj
Ishte maksimë çasti, thashë
E pamenduar më parë
Sa për t’më bindur
Se heshtja shpesh s’na paska qenë ar