Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës është shqyrtuar e miratuar propozim-vendimi preliminar për shpronësim të interesit publik të pronave të paluajtshme të pronarëve dhe zotëruesve të interesit të cilët preken nga realizimi i projektit ndërtimi i qarkores së jashtme të qytetit të Gjilanit dhe lidhja e rrugës nacionale M25. II dhe M25. III deri te autoudha R7.1 (Velekincë- Livoçi i Ulët dhe i Epërm).
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, tha se është nënshkruar Memorandumi i Mirëkuptimit për ndërtimin e Qarkores së jashtme të qytetit të Gjilanit dhe tash po vazhdohet edhe me procesin e shpronësimit të pronave të paluajtshme të prekura nga projekti.
“Për dallim nga e kaluara, ku rrugët janë ndërtuar pa shpronësim dhe pa respektuar të gjitha procedurat, tani po i bëjmë punët me rend e në mënyrë ligjore: njëherë shpronësimi i pronave dhe pastaj fillimi i punimeve. Kjo është mënyra e duhur për të garantuar drejtësi dhe zhvillim të qëndrueshëm për qytetin tonë”, tha Alban Hyseni..
I pari i Gjilanit, falënderoi ministrin e Mjedisit, Liburn Aliun dhe kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin për mbështetjen e vazhdueshme.