Teatër

Hyseni: Gjilani dëshmoi edhe një herë se është një qendër e hapur ndaj vlerave evropiane dhe bashkëpunimit ndërkombëtar

Është mbyllur edicioni i 26-të i “Javës së Frankofonisë”, në Gjilan me shfaqjen Gënjeshtra -”Le Mensonge” në Teatrin e Qytetit.
Gjilani sivjet ishte “Kryeqytet i Frankofonisë”, ku dëshmoi se është një qendër e hapur, moderne dhe e gatshme për bashkëpunime të mëdha.
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, tha se në kuadër të “Javës së Frankofonisë”, Gjilani mirëpriti shfaqjen “Le Mensonge” (Gënjeshtra) të autorit të mirënjohur francez, Florian Zeller. Nën regjinë e Ekrem Sopjanit.
Sipas tij trupa e Teatrit nga Gjilani dhuroi një performancë të shkëlqyer, duke bashkuar artin skenik vendor me dramaturgjinë bashkëkohore franceze.
“Kjo javë ka qenë një festë e vërtetë e kulturës dhe diversitetit në qytetin tonë. Përmes filmit, muzikës dhe teatrit, Gjilani dëshmoi edhe një herë se është një qendër e hapur ndaj vlerave evropiane dhe bashkëpunimit ndërkombëtar”, tha Alban Hyseni.
Kryetari i komunës, falënderoi të gjithë artistët dhe qytetarët që e bënë këtë edicion të 26-të të paharrueshëm.

You Might Also Like