Në një atmosferë pikëllimi të thellë, por edhe mirënjohjeje të pafundme për kontributin e saj shumëvjeçar, sot iu dha lamtumira e fundit profesoreshës së dashur të shkollës së muzikës, Afërdita Agushaj Ismajli.
Ceremonia e varrimit, e zhvilluar në varrezat e qytetit, mblodhi qindra qytetarë, familjarë, kolegë artistë, si dhe gjenerata të tëra nxënësish që kishin ardhur për ta nderuar edukatoren e tyre. Kortezhi mortor u përcoll me nderime të larta, ndërsa varri u mbulua nga kurora të shumta lulesh, shenjë e respektit për gjurmët që ajo la pas.





