Gjilan, 11 mars / Inspektorët komunalë në Gjilan janë të vendosur në zbatimin e ligjit dhe sanksionimin e çdo operatori ekonomik që shkel të drejtat e konsumatorit.
Duke reaguar sipas ankesës së një qytetari në lidhje me mospërputhjen e çmimit të reklamuar dhe atij që ka paguar në arkë, inspektorët komunalë kanë gjobitur me 400 euro një marketin Viva Fresh.
Çmimi i reklamuar i sheqerit në paketim 5 kilogramësh ka qenë 4.09 euro, ndërsa në arkë konsumatori ka paguar 4.19 euro.
Për shkak të kësaj mospërputhjeje, në bazë të ligjit për mbrojtje të konsumatorit, inspekcioni i ka shqiptuar gjobën shitësit.
Drejtoria e Inspekcionit Komunal në Gjilan i fton qytetarët që t`i paraqesin rastet, kur hasin në shkelje të tilla dhe i garanton ata se çdo ankesë dhe kërkesë do të trajtohet me seriozitet të plotë.