Libri

Ismajl Zylfiu, autor që ndriçon historinë e vendlindjes

Thonë, libri është miku më besnik i njeriut. Është ushqim shpirtëror i tij. Nuk ka me libër! Ai është pasqyra e njerëzimit. Pa libër, si pa sy. Libri është një lloj “dokumenti” për jetëshkrimin e historisë së njerëzimit. Me librin, njerëzit e përshkruajnë historinë e tyre. Me libër, njeriu e ruan identitetin e kombit. Nuk harrohet dhe mbetet përgjithmonë në historinë e njerëzimit. Kush e adhuron librin ka vlera dhe është i ndershëm. Kush nuk e don librin, është armik i vetëvetës.

Libri është dritare e botës. Është mik i të gjithë njerëzve pa dallim. Një mik i madh i librit është edhe Ismajl Zylfiu, autor i dhjetë librave dokumentarë e publicistikë. Ky autor është i veçantë prej të tjerëve. Nuk është gjuhëtar, por me profesion është inxhinier i elektroteknikës. Por, artin e shkrimit e adhuron shumë. E don pa masë. Në një bisedë rasti, ai është shprehur kështu:

“E dua gjuhën dhe letërsinë shqipe. Jam adhurues i çdo libri. Nuk dalloj libra në gjini e forma tjera. Lexoj romane, poezi, prozë, tregime, por lexoj edhe drama e vepra dokumentare. Gjuha shqipe është shkronja e parë e të gjitha lëndëve tjera. Çdo gjë lidhet me gjuhën e shkrimit. Kush nuk e adhuron Gjuhën Shqipe, nuk e don vetën. Është vras i vetës. Unë jetoj me libra. Jetoj, jetoj dhe s’mund ta mendoj jetën pa libër… Nuk kalon orë, ditë e natë, por edhe javë që nuk lexoj ndonjë vepër. Për mua më e rëndësishme është libri. Sepse, tek ai (libri) gjej shoqëri, gjej personazhe e shumë “sende” tjera, me të cilët bashkëjetoj. Kohën e lirë e kaloj duke lexuar libra. Ka njerëz që të injorojnë pse je ardashës.

Por, unë jam tjetër, nuk flas e nuk urrej askënd, por shkruaj dhe ajo te unë është fakt dhe qëndron. Shkrimi i një libri e ka vlerën e madhe. Të tjerët kanë shtuar se, nuk vdes për ndonjë “cingërimë”, por vdes për të vërtetën e fjalës, ka thënë i madh poet, Ali Podrimja, tash i ndjerë. Pra, për të vërtetën duhet edhe të vdiset! Pse jo? Ajo është peshë e madhe tek njeriu. Unë e kam hobi librin. Me librin jam mik dhe jam rritur. Unë gjer tani i kam botuar dhjetë libra publicistikë e dokumentarë. Dua ta ndriçoj anën time, atë vendlindje ku “është balta më e ëmbël se mjalta” (Çajupi). Atë e njoh më së miri. E dua vendlindjen e njerëzve të mi. Dua t’ua kthej dinjitetin, të cilët edhe ata më ndihmojnë në këto përpjekjet e mia të shkrimit të këtyre dokumentarëve dhe monografive publicistikë.

Unë librin nuk e shes, por ua fali lexuesve. Kjo është veçantia ime si intelektual. Ata le ti lexojnë e le të merren me këto shkrime të mia. Kur ishte lufta e fundit (1999), kam qenë në rrezik jete. Pata droje. Më dhimbsej familja. E kisha edhe shtëpinë plot me libra. Më rrethuan paramilitarët serbë. Më thanë se pse janë këta shumë libra. Iu përgjigja: “Kjo është jeta ime. E dua librin dhe, libri nuk urren, por afron njerëz”. Më kuptuan dhe nuk mi dogjën ato libra që i kisha. Edhe një fjalë e dëgjova nga ta:

”Sikur të ishim edhe ne adhurues të librit, nuk do të ishte kjo gjendje, sot e tillë”! E kuptova. Mezi shpëtova unë dhe librat e mi të shumtë. O, zot! Nuk mu dhimbsej shtëpia, por fëmijët dhe librat. Edhe tri pyetje tjera mi bënë: “Nëse ke armë, do të vrasim, nëse ke të huaj, do të vrasim, por edhe nëse fëmijët qajnë, do të vrasim…!” Nuk kisha armë, por nuk kisha asnjë të huaj. Por, as fëmijët nuk qanë kur i panë këto bisha këta kriminelë gjakpirës e të egër mali. Më thanë, fëmijët i paske edukuar që mos të urrejnë të tjerët. Kjo është edukatë e juaja e madhe dhe me vlerë”. Shpëtova. Vetëm unë e dijë si kam shpëtuar kësaj kohe ogurzezë. Prej kësaj “gjendjeje”, që e përballuam me shumë sakrifica, sot lirinë e gëzojmë dhe duhet ta çmojmë. Pa liri, s’ka jetë. Liria – mbi të gjitha! Në liri shkruhet libri. Në robëri, ka vuajtje dhe vdekje. Lumë kush e ka lirinë! Edhe ne e fituam dhe duhet ta ruajmë këtë liri si sytë e ballit. Në liri, shkruhet për çdo gjë.

Ismajl Zylfiu lindet në Kopernicë të Dardanës ish Kamenica, më 1956. Këtu kreu disa klasë të shkollës fillore, por edhe disa të tjera të fundit i kreu në Hogosht. Shkollimin e mesëm e vazhdoi në Gjimnazin matematikor të Prishtinës. Studimet i kreu në Fakultetin Elektro Teknik në Degën e elektroteknikës po ashtu në Prishtinë. Në vitet 1977/83 punoi si mësimdhënës në Gjimnazin “Ismajl Qemaili” të Dardanës, në paralelet e ndara të Hogoshtit. Por, një kohë ka punuar në Qendrën e Shkollës së Mesme Teknike “Mehmet Isai” në Gjilan. Pak më vonë punoi në Industrinë e duhanit në Gjilan në cilësinë e inxhinierit kryesor të elektroteknikës. Ishte dy herë në Gjemani për ngritjen profesionale.

Në vitin 2002 ishte drejtor i përgjithshëm i Industrisë së duhanit në Gjilan. Nga viti 2004 është mësimdhënës i lëndëve të elektroteknikës në Shkollën e Mesme Teknike “Mehmet Isai” në Gjilan. Dhe, jo vetëm kaq. Ky njeri, në dukje të parë nuk të sukër se mund të jetë ai që ka bërë emër me shumë vepra publicistike e dokumentare. Njeri i hajthëm dhe modest. E lakmon se flet qartë dhe thjeshtë. Nuk krekoset, por e thotë jetën e tij ashtu si është sot. Në vitin 2002 ka botuar dy vëllime (monografi) për fshatin Kopernicë me titull “Kopernica dje, sot e nesër”. Nuk di njeriu kah t’ia fillojë për të shkruar. Por, kur ke një njeri mik të madh të librit, e ke lehtë dhe ia del në fund me sukses. Pse jo?

Ismajl Zylfiu është modest në bashkëbisedim. Rrugëti i tij nëpër historikun e vendlindjes, Kopernicës, është jo vetëm një dashuri e tij për ta ringjallur atë kohë të hershme, por edhe të sotit, por vullneti i tij i madh për të lënë gjurmë shkrimi dokumentar për gjeneratat e ardhshme të këtij vendi. Gati të gjitha veprat i ka për vendlindjen e tij, Kopernicës, ku nuk lë pore të jetës së këtij venbanimi pa e përshkruar, duke filluar nga arsimi, kultura shpirtërore e popullit, lindja, martesa, paradasmat, përgaditja e dasmës, besa, vdekja dhe të pamurit, veshja kombëtare, veshja e meshkujve, e femrave, veglat e punës, veglat e muzikës, ndërtimi i fshatit, orenditë shtëpiake, ushqimi popullor, lojërat popullore, anekdotat, gjenealogjia, historiku i fshatit Kopernicë, periudha pas viteve 1964, rrethanat ekonomike, ndërtimi i shkollës së re, Lëvizja e vitit 1981, Themelimi i nëndegës së LDK-së në fshatin Kopernicë, Lufta e Kosovës, ardhja e UÇK-së në Kopernicë, shembëlltyra me të cilat krenohet Kopernica, gjenealogjia e famijes Zylfiu etj.

Ajo që të lë mahnit të ky mik i madh i librit është fakti tjetër se, në disa libra të tij, e sidomos në librin e fundit të IX- me radhë, që është një monografi e plotë kushtuar heroit të kombit Ismajl Ismajlit, këtu ka shumë citate të autorëve të shquar shqiptarë e të tjerë.

E citon Arben Xhaferin, Adem Demaçin, Abraham Lincolin, Ukshin Zajmin, V. Hygon, gjeneralin Kadusin Lame, hil Mosin,, A. Dyma, Ali Podrimjen, Ismail Kadare, Riza Greiçevcin, Blerim Shalën e shumë të tjerë. Libri i fundit i tij, që është një monografi e gjerë dhe e shumë anshme për heroin Ismil Ismailin, ku autori në fjalë, nëpërmjet librit, heroin e ngrit dhe e bën përmendore të “gjallë” e të përjetësuar në librin e tij “Kopernica dje, sot e nësër” vëll. IX-të. Në një promovim të këtij libri, pos tjerash është shtuar se, një vend kryesor zë jeta dhe vepra e heroit Ismajl Ismajlit, i rënë në luftën e fundit në Kosovë 1999. E, dr. Faik Shkodra, duke folur për librin në fjalë, ai ka thënë se, heroi ishte një personalitet i “veçantë në sjellje, punë e veprimtari, heroi i cili idealet i vuri në shërbim të adheut e të kombit.

Ai tha se Ismajl Ismajli ishte patriot i zjarrtë, simdol i lirisë, ardhmërisë e demokracisë, kurse recensenti i librit, dr. Bahtiar Kryeziu, tha se autori i librit, Ismajl Zylfiu ka bërë një punë të madhe edhe se heroiti i ka ngritur një përmendore, por nëpërmjet një vepre të shkruar, në të cilën përshkruan jetën, veprën dhe tërë atë që e karakterizon personazhin e tij kryesor që nga rinia e hershme e deri në rënien heroike.

“Me këtë libër, autori Ismajl Zylfiu, ka plotësuar një vakum që ka ekzistuar deri më tash, edhe se është koha që në histori të thuhet e vërteta”, ka thënë Kryeziu. Me këtë rast, edhe vetë autori është shprehur se, çdo fshat e çdo rajon në Kosovë ka dhënë njerëz që e meritojnë të shkruhet për ta, andaj atë gjithherë e kishte tërhequr kjo temë, ngase siç tha personazhin e tij e kishte njohur kaherë, gjithmonë ishte më i pjekur se të tjerët, i përgaditur për çdo ballafaqim, që fliste me sinqeritet e në fund dha jetën, duke qenë në mbrojtje të popullit që aq shumë e deshi”.

E, autori në librin e tij kushtuar këtij heroi ka thënë se, “puna dhe vepra e tij për ne ishin si të një pishtari që ndriçon në errësirë dhe rrugën e vështirë drejt lirisë” (f.1609). Të rrallë janë njerëz entuziastë si Ismajl Zylfiu, i cili, në fjalën e parë e përmend librin, mikun më të madh dhe më besnik të njeriut. I uruam shëndet dhe suksese në jetën e tij krijuese! /Tefik Selimi

 

You Might Also Like