Gjilan

Ismajli: Bashkë me kryetarët e Komunave të Anamoravës diskutuam për implementimin e kërkesave të Shoqatës së transportuesve “Anamorava”

Gjilan, 2 mars 2021 – Nën udhëheqjen e nënkryetarit të Gjilanit, Arbër Ismajli, është mbajtur të martën takimi me kryetarë dhe drejtorë të shërbimeve publike të komunave të Anamoravës, me diskutim lidhur me kërkesat e Shoqatës së transportuesve “Anamorava”, për parandalimin e taksive ilegalë, rregullimin e vendndaljeve dhe për mundësinë e subvencionimit nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Nënkryetari Ismajli, pasi falënderoi të pranishmit për kontributet frytdhënëse në takim, tha se beson që kjo çështje do të rregullohet së shpejti, duke involvuar direkt edhe Shoqatën e transportuesve.

“Sot jemi mbledhur bashkë për të diskutuar lidhur me kërkesat e Shoqatës së transportuesve në raport me të gjitha komunat që ne i përfaqësojmë. Jemi dakorduar që të shqyrtohet mundësia përkitazi me kërkesat e tyre dhe unë besoj që në takimin e radhës prezentë do të jenë edhe përfaqësuesit e shoqatës për ta bërë më të mirën dhe t’ua lehtësojmë punën”, ka thënë nënkryetari i Gjilanit, Arbër Ismajli.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, ka falëndruar komunën e Gjilanit për organizimin e këtij takimi, për ta rregulluar këtë problem.

“Sot diskutuam së bashku lidhur me çështjen e rregullimit dhe funksionimit të transportit ndërurban në mes të komunave tona. Është një iniciativë shumë e mirë e Komunës së Gjilanit sepse është një dukuri që duhet të merremi dhe ta rregullojmë. Besoj në takimet tjera do ta shtyjmë përpara këtë”, tha Kastrati.

Në takim kanë marrë pjesë edhe përfaqësues nga Komuna e Vitisë, e Novobërdës, Ranillugut, Parteshit e Kllokotit.

You Might Also Like