Gjilan, 20 janar 2020 – Me rastin e ndarjes nga jeta të kryetarit të Shoqatës së ish të Burgosurve Politik në Gjilan, Sabit Rexhepi, të hënën është mbajtur mbledhje komemorative, nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri dhe në organizim të përbashkët me Shoqatën e ish të Burgosurve Politik dhe Shoqatën e Veteranëve të Luftës së UÇK’së.
Në emër të kryetarit Haziri ka folur nënkryetari i Komunës, Arbër Ismajli, i cili theksoi se Sabit Rexhepi është veçuar për urtësinë e tij, duke qenë shembull në shoqëri.
“Ai fliste pak, por thoshte shumë, e mbi të gjitha, fjalët e tij do të mbesin përgjithmonë këshillë për ne. Ngushëllimet më të sinqerta familjes, shokëve e miqve. Lutemi që ta përballoni këtë dhemje”, ka thënë Ismajli.
Hydajet Hyseni, kryetar i Shoqatës së ish të Burgosurve Politik të Kosovës, ka thënë janë mbledhur për t’ia bërë nderimet e para, por jo të fundit, veteranit të dalluar dhe të shumfishtë, veprimtarit të dëshmuar dhe luftëtarit të paepur për atdhe, liri e drejtësi, Sabit Rexhepi.
Ish komandanti i Zonës Operative të Karadakut, Ahmet Isufi, ka thënë se janari i ka marrë njerëzit më të mirë, të cilët kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për vendin, ashtu siç ishte edhe veprimtari Sabit Rexhepi.
Në emër të familjes Rexhepi, ka folur djali i veprimtarit Sabit Rexhepi, Albani, i cili i ka falënderuar të gjithë për pjesëmarrjen dhe nderimet e fundit që ia kanë bërë babait të tij.