Lëvzija Vetëvendosje, e cila ndër të parat ka bërë publike listën me kandidatë për deputetë, në zgjedhjet e sivjetme nacionale, në listën e saj ka futur shtatë kandidatë nga Gjilani.
Sami Kurteshi, ish- avokat i popullit, është radhitur në numrin 13 në listën e VV-së dhe mëton që të zë një ulëse në Kuvendin e Kosovës. Në këtë listë, e renditur në numrin 21 është edhe Besa Baftiu, kryetare e qendrës së VV-së në Gjilan, e cila edhe në mandatin e kaluar ka qenë deputete. Me profesion mjeke, Besa Baftiu synon mandatin e dytë me radhë. Pak vende më poshtë, në numrin 23 është radhitur Hydajet Hyseni, një personalitet i njohur, ish i burgosur politik, deputet edhe në mandate të kaluara. Në listën e VV-së ka zënë vend edhe Ismajl Kurteshi, që mban numrin 26, i cili është i njohur jo vetëm në Gjilan, por edhe më gjerë për aktivitetin e tij, si para, gjatë dhe pas luftës. Ai edhe më herët kishte fituar besimin e qytetareve për t’i përfaqësuar në Kuvendin e Kosovës. Nën numrin 41 është rreshtuar Shemsi Syla, një nga ish-komandantët me nam të UCK-së, i cili është kyçur në VV dhe mëton që të fitojë besimin e qytetarëve. VV e Gjilanit ka përzgjedhur edhe dy personalitete të tjera nga Gjilani që t’i ketë në listën e vet për deputetë e ata janë Nevzad Isufi, që është shef i grupit të këshilltarëve të VV-së në Asamblenë Komunale të Gjilanit, me profesion mësimdhënës i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe. Isufi është i radhitur i 74-ti në listë, kurse pjesë e listës së VV-së për t’u bërë deputete është edhe këshilltarja komunale Arjeta Rexhepi, me profesion mësimdhënëse e matematikës, e cila mbanë numrin 90 në listën e VV-së.