MKRS njofton për stadiumin e Gjilanit: Punimet do të përfundojnë brenda 24 muajve, vlera është rreth 13 milionë euro
Stadiumi i qytetit të Gjilanit është drejt realizimit konkret, pas nënshkrimit zyrtar të kontratës për ndërtim me operatorin ekonomik fitues.
Lajmi është konfirmuar nga zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, Daulina Osmani, e cila tha se ky projekt ka një rëndësi të veçantë për qytetin dhe komunitetin sportiv të rajonit.
“Gjithçka gati. Stadiumi i Gjilanit po fillon punimet”, deklaroi Osmani përmes një postimi zyrtar.
Sipas saj, vlera e investimit për këtë projekt kap shumën e 12,783,110 milionë eurove, ndërsa afati i përfundimit është 24 muaj nga fillimi i punimeve. Kjo shënon një kthesë të madhe pas një periudhe të gjatë vonesash dhe mungese serioziteti në trajtimin e këtij projekti madhor.
“Sot është nënshkruar kontrata me operatorin ekonomik për ndërtimin e stadiumit të qytetit në Gjilan. Vlera e investimit është 12,783,110 milionë euro,” shtoi Osmani.
Ajo e cilësoi ndërtimin e stadiumit si më shumë se një projekt infrastrukturor.
“Ky stadium nuk është thjesht një projekt infrastrukturor për Gjilanin, por është pjesë e identitetit të qytetit. Një hapësirë ku gjenerata të tëra janë lidhur me futbollin, emocionin, pasionin dhe historinë”, potencoi zëvendësministrja.
Në deklaratën e saj, Osmani siguroi se institucionet përkatëse do ta ndjekin me përkushtim çdo hap të punimeve për të garantuar përfundimin cilësor dhe në kohë të projektit.
“Pas shumë vitesh ndalesa, mungesë serioziteti dhe profesionalizmi, punimet nisin tash dhe pritet të përfundojnë brenda 24 muajve. Projekti ka hyrë në binarë të qartë dhe do të ndiqet me përkushtim nga MKRS dhe të gjithë akterët përkatës,” u shpreh ajo.
Në fund, Osmani falënderoi të gjithë ata që kontribuan në realizimin e këtij projekti. “Faleminderit secilit individ, zyrtar shtetëror, komunitetit të futbollit dhe tifozëve për angazhimin dhe këmbënguljen e tyre në realizimin e këtij projekti,” përfundoi ajo.
Ky stadium pritet të sjellë një frymë të re në sportin vendor dhe të ofrojë kushte moderne për zhvillimin e ndeshjeve dhe aktiviteteve të ndryshme në qytetin e Gjilanit.