RAPORTI I JURISË LETRARE PËR ÇMIMIN VJETOR “BEQIR MUSLIU” QË SIVJET IU DHA SHKRIMTARIT NASI LERA
Çmimi letra“Beqir Musiu”,të cilin e ndan Kuvendi i Komunës në Gjilan, tashmë ka krijuar një traditë të mirë me mbështetje të krijuesve eminentë të letrave shqipe të të gjitha trojeve. Autoriteti i çmimit shkon krahas autoritetit të shkrimtarit gjilanas i cili u dallua me veçantitë krijuese si në poezi, prozë dhe dramaturgji.
Për ta ruajtur emrin e këtij çmimi vjetor, përherë është menduar të zgjidhen emrat meritorë.
Siç dihet, për herë të parë çmimi “Beqir Musliu” i është ndarë poetit Ali Podrimja më 2004 dhe në vazhdim, nëpër vite, deri më sot janë nderuar gjithsej 14 shkrimtarë.
Sivjet për çmimin “Beqir Musliu”, juria në përbëre Sadete Tërnava, Emin Azemi dhe unë, Ibrahim Kadriu, nga një listë me tetë emra të mundshëm, zgjohem shkrimtarin e njohur nga Shqipëria, Nasi Lerën, duke u mbështetur në një varg veprash të tij të botuara, me të cilat e pasuroi dhe vazhdon ta pasurojë letërsinë tonë për të rritur dhe për fëmijë.
Nasi Lera u lind më 20 shtator të vitit 1944 në Korçë, ku kreu shkollimin fillor dhe të mesëm, ndërkaq studimet i vazhdoi dhe i kreu në Universitetin e Tiranës. Fillimisht punoi mësimdhënës, më vonë redaktor në Radio e Televizionin e Tiranës, por edhe redaktor në Shtëpinë botuese “Naim Frashëri”.
Duke qenë përherë i lidhur me letërsinë ishte edhe sekretar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, por gjithherë aktiv në fushën e krijimtarisë origjinale e në përkthimin e një varg veprash të autorëve të shquar të letërsive të tjera.
Që nga vitet e gjashtëdhjeta Nasi Lera është krijues aktiv, duke bërë provën e parë me librin me titull “Bora e fundit”të botuar më 1972, për të vazhduar me dhjetëra e dhjetëra libra të tjerë: tregime, romane dhe përkthime. Pra, lista e botimeve të tij është mjaft e gjatë.
Me këtë rast po përmendim vetëm disa sosh, si për shembull vëllimet e tregimeve: “Era e pishave”, “Sytë e dashurisë”, “Duaje emrin tënd”, “Ulërima e heshtur”, “Tregime të zgjedhura” etj., romanet: “Gjaku i prillit”, “Të jetosh kohën”, “Ngjallja e diktatorit”, “Të gjallë dhe të vdekur”, “Sytë e Sofisë”, “Vetmia e syve të qenit”, “Treni ecën drejt bores “etj.
Në opusin e tij krijues janë edhe dhjetëra vepra të përkthyera të shkrimtarëve të njohu botëror.
Nasi Lera ka përkthyer shkrimtarët e njohur të letërsisë botërore: Fransua Sagan (“Martesa e Zhozesë”), Milan Kundera (“Vallësi i lamtumirës”), Gi de Mopasan(Vëllim me tregime),Gabriel Garsia Markez (“Gjenerali në labirintin e vet”), Jasumari Kavabati (“Gjëmimi i malit”), Isabela Alende (“Për dashurinë dhe hije”; disa vepra të Joze Saramaga, Albert Kamy etj.
Brenda veprimtarisë së tij janë edhe skenarët e filmave: “Duaje emrin tënd”, “Të jetosh kohën”, “Telefoni i një mëngjesi” e “Mëngjese të reja”.
Për veprat e Nasi Lerës duhet thënë se atocilësohen me një stil të ngritur e të pasur poetik dhe përshkohen me një ndjeshmëri lirike, prandaj çmohet ndër shkrimtarët më lirikë në letrat shqipe.
Veprimtaria e tij romanore përvijohet përmes një kategorie të tërë personazhesh, përmes një sfondit të gjerë të realitetitartistik që imponohet me kreativitet shumëdimensional. Opusi i tij i gjerë i tregimeve dhe i romaneve dëshmon për një individualitetin krijues të rëndësishëm si në llojllojshmërinë e dukurive të trajtuara, ashtu dhe në shtrirjen e atyre dhe në mesazhet poetike që ngërthejnë veprat e krijuara nga ky shkrimtar.
Me bindje themi se Nasi Lera vijon të mbetet një ndër personalitetet më të njohur dhe të respektuar nga lexuesi dhe kritika letrare për origjinalitetin e spikatur artistik, si edhe për kontributin e shumanshëm në lëmin e letërsisë origjinale dhe të veprave të përkthyera.
Mbështetur në atë që thamë për veprimtarinë e tij letrare, origjinale dhe të përkthyer, Nasi Lerës i jepet me plot meritë çmimi “Beqir Musliu” për vitin 2021.
Gjilan, më 11 qershor 2021