Futboll

Janë vëllezër, por në stadium është më ndryshe

Janë vëllezër dhe të dy e duan futbollin, ndonëse ekipet që i pëlqejnë janë të kundërta. Nga ekipet evropiane, njëri e pëlqen Interin e tjetri Arsenalin dhe këtyre dy ekipeve u bie rrallë të takohen në garat ndërkombëtare, andaj problemin nuk e kanë fortë aty, por kur është në pyetje futbolli vendor, aty rrugët i kanë të ndara, as që duan t’ia dinë për ekipin kundërshtar. Njëri është adhurues i flaktë i Dritës e tjetri është adhurues i zjarrtë i Gjilanit, shkruan kryelajmi.com

Babai i tyre, Xhaviti, gazetar gjilanas, edhe ai e kishte dashur futbollin, por më tepër se rrokullisjen e sferës magjike ai e kishte dashur muzikën, i njohur si koleksionues i pasionuar i pllakave të gramafonit, audiokasetave dhe CD-ve, zëri i të cilave pa ndërprerë ka kumbuar dhe vazhdon të kumbojë edhe më tej në Radio Star, që ai e udhëhiqte, kurse sot atë e udhëheqin protagonistët tanë, Arbëreshi dhe Flakroni.

E diela e 17 marsit po afrohet e me këtë po afrohet edhe kryendeshja Drita – Gjilani. Të dy tifozëritë, “Intelektualët” – adhuruesit e flaktë të Dritës dhe “Skifterët” – adhuruesit e flaktë të Gjilanit sikur janë strukur dhe nuk po bëjnë zë, por të gjithë ata që i njohin këto dy tifozëri e dinë se ata në fshehtësi të plotë janë duke bërë koreografinë që do t’a shpalosin të dielën.

Në familjen Salihu ethet e kryendeshjes tashmë kanë filluar. Arbëreshi, vëllai i madh, adhurues i Dritës, tashmë ka veshur fanellën e kaltër të Dritës, kurse vëllai i tij, Flakroni edhe ai është i veshur me fanellë sportive, por atë me ngjyrë të kuqe të Gjilanit.

Janë vëllezër dhe e qojnë shumë mirë, por kur është në pyetje futbolli dëshirat i kanë të kundërta.

Arbëresh Salihu, gazetar në Radio Star, thotë se gjithsesi se do të fitoj Drita, ngase pas disa rezultateve jo të mira të kohëve të fundit, tashti është moment kur ekipi kaltër e bardhe duhet të dalë kokëlartë nga fusha dhe të triumfoj ndaj ekipit kundërshtar të qytetit.

“Kjo fitore do të ishte edhe një motivim më i madh për tifozët dhe do të ngriste moralin si për tifozët ashtu edhe për lojtarët”, thotë Arbëreshi, që shton se Drita në këtë ndeshje hynë si kampione në fuqi dhe pas një sezoni fantastik që kishte ajo u shpall kampione, qytetin denjësisht e përfaqësoi në arenën ndërkombëtare në Champions League dhe dëshmoi se ajo është tradita e qytetit.

“Unë e respektoj tifozërinë “Skifterët”, por “Intelektual” njeriu lind dhe nuk bëhet”, thekson Arbresh Salihu, që gjithsesi uron për një lojë fer e korrekte, për një pamje mahnitëse në tribuna dhe që ky derbi t’i shërbejë futbollit kosovar për t’u treguar të tjerëve se kryeqyteti i futbollit është qyteti ynë.

Mendim krejt ndryshe ka i vëllai Arbëreshit, “Skifteri” – Flakroni. Ai është i bindur se Gjilani do të fitojë e atë e trimëron e dhëna se kohëve të fundit Gjilani ka rezultate më të mira në derbit në mes të këtyre dy ekipeve.

“Ne jemi më komod në këtë ndeshje dhe lojtarët tanë janë shumë mirë të përgatitur. Drita ishte kampion, por asnjëherë nuk arriti t’a mund Gjilanin dhe këtë nuk do t’a bëjnë as tashti, sepse janë në presion të madh pas eliminimit nga kupa”,  thotë Flakron Salihu, që shton se Gjilani do të dijë t’a shfrytëzojë këtë moment të ekipit kundërshtar.

“Jemi favorit, besojmë në rezultat pozitiv, jemi në tabelë më lartë se ta, kurse edhe si tifozëri jemi më e mirë”, thotë Flakroni për të cilin fitorja është e padiskutueshme dhe me Dritën gjithnjë i kërkojnë tri pikë. Ai beson se Gjilani do t’i gëzojë “Skifterët”, të cilët do të dijnë t’a festojnë fitoren dhe qyteti do të marr ngjyrat kuq e bardhë.

Në Gjilan po ndihet aromë derbi, e diela po vjen. Kanë nisur bisedat për kryendeshjen e diku në fshehtësi “Intelektualët” e “Skifterët” diçka po përgatisin, nuk ka rëndësi se sivjet titulli e kupa kanë shkuar për të dy ekipet, më me rëndësi është të fitohet derbi./kryelajmi.com/.

 

You Might Also Like