ARSIMI

Jeta i ngjaka një lumi të pashtershëm

Shkruan: Skender Hasani

E kanë thënë edhe para meje se jeta është si një lumë që rrjedh pa ndalur, që mbart me vete kujtime, përvoja, njerëz, emocione … dhe sado gjatë të udhëtojë, lumi kurrë nuk kthehet mbrapa. Prandaj, çdo çast është i veçantë, sikur edhe ky takim që më bënë të reflektojë mbi një udhëtim që ka zgjatur ma shumë se 30 vite – një jetë e tërë në shërbim të dijes dhe brezave të rinj nga të cilët kam mësuar edhe unë, sidomos durimin dhe si të jem i ri në shpirt.

Misioni i  mësuesit nuk matet me orë pune, por me ndikimin që lë pas në jetët e të tjerëve….

Për mua ka qenë një privilegj dhe një fat i veçantë që të jem pjesë e Gjimnazit “Zenel Hajdini”, një shkollë elitare e qytetit tonë, që jo vetëm më dha mundësinë të ushtrojë profesionin tim me përkushtim, por të jem edhe pjesë e një kolektivi të mrekullueshëm, bashkë me te cilët kam përjetuar vitet më të rëndësishme të karrierës sime, kam njohur kolege e kolegë të jashtëzakonshëm me të cilët kemi edukuar breza që sot janë krenaria jonë e përbashkët.

Kur e kam filluar profesionin  e mësimdhënësit si i ri 24 vjeç, kam hyrë në klasë, plot idealizëm dhe sot largohem me zemrën plot, jo vetëm nga kujtimet e bukura, por edhe nga mirënjohja që kjo rrugë më ka dhënë më shumë se sa mund ta kisha imagjinuar.

Është një ndjesi e veçantë kur ndahesh nga kolegët pa asnjë hije mërie, pa nevojën për ta mbajtur kokën anash kur i takon në rrugë, por përkundrazi, me buzëqeshje dhe përqafimin që e meriton miqësia dhe bashkëpunimi i sinqertë.

Gjatë këtyre viteve kemi ndarë jo vetëm punën por edhe jetën, sfidat e përbashkëta, diskutimet profesionale, ndihmën në kohë të vështira dhe gëzimet kur i shiheshin sukseset te nxënësit tanë. Ju falënderoj të gjithëve për dinjitetin dhe respektin me të cilin kemi bashkëjetuar në këto rrugë fisnike.

Por mbi të gjitha dua të ndalem te nxënësit e mi, të cilët janë dhe do të mbeten pjesa më e dashur e kësaj rruge. Ndër ta shoh sot udhëheqës të arsimit, kolegë të rinj, profesionist të denjë dhe kjo është krenaria, ndjenja më e madhe që mund ta ndjejë një mësues. Faleminderit që më keni lejuar që të jem pjesë e formimit tuaj, dhe ndoshta të kem ndikuar sadopak në rrugën që keni ndërtuar.

Në fund të këtij udhëtimi, për të gjitha këto vite sfidash, përpjekjesh, arritje e emocione, dua t’i falënderoj me gjithë zemër të gjithë ata që e kanë bërë këtë udhëtim të bukur.

1 . Zotin që ma dha shëndetin.

  1. Familjen time, sidomos gruan time që është kujdesur pa përtesë për mua.
  2. Koleget dhe kolegët e mi, që janë bërë më shumë se bashkëpunëtorë- si familje e dytë
  3. Nxënësit e mi, që mbeten përjetësisht arsyeja pse kjo punë ka pasur kuptim.

5 Afrim Kqikun, kronistin e respektuar të qytetit tonë, i cili po e shënon edhe këtë event, sikur edhe shumë tjera, madje edhe në kohë më të vë shtira..

Ky kapitull mbyllet me paqe, krenari dhe shumë dashuri në zemër, largohem nga këtu jo për të harruar por për të kujtuar me mirënjohje. Dhe siç rrjedh lumi pa ndalë, edhe unë do të vazhdoj të jetoj me të njëjtin ideal, duke mbetur gjithmonë mësues në shpirt edhe pse jashtë klasës.

Ju faleminderit nga zemra, qofshi të bekuar dhe të suksesshëm gjithmonë!

You Might Also Like