Ka ndërruar jetë në moshën 52-vjeçare polici Dugagjin Mehmeti nga Gjilani.
Lajmi për vdekjen e tij e ka bërë të ditur familja si dhe Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan, përmes një njoftimi për media.
“Të nderuar ju njoftojmë se sot, më 17 shkurt 2021, në moshën 52 vjeçare, ka ndërruar jetë zyrtari policor nga Drejtoria Rajonale e Policisë së Kosovës në Gjilan, Njësia për Këshillim dhe Përkrahje – Dugagjin Mehmeti nga Gjilani”, thuhet në njoftimin e policisë.
Mehmeti i përkiste gjeneratës së IV të Policisë së Kosovës, që kishte filluar punën në viti 2000.
Karrierën në polici ai e kishte filluar në Stacionin Policor në Gjilan. Një kohë të gjatë ai ishte mbikëqyrës në Njësinë për Këshillim dhe Përkrahje në Gjilan.
“Ne kolegët që punuam gjatë me të do ta përkujtojmë si një pjesëtar të devotshëm të Policisë së Kosovë”, thuhet tutje në njoftim.
Varrim i të ndjerit do të bëhet sot në fshatin Pasjak, pas Namazit të Drekës.