23-vjeçari Betim Maliqi, karateist i KK “Katana”, fillimin e muajit maj do ta mbajë gjithmonë në kujtesë në karrierën e tij sportive. Në qytetin Yerevan të Armenisë, në Kampionatin Evropian, ai në finale mposhti karateistin nga Italia, De Vivo, duke fituar medaljen e bronztë dhe duke nisur rrugëtimin drejt Kampionatit Botëror të Karatesë, i cili do të mbahet më 27-30 nëntor në Kajro.
Ky sukses i karateistit gjilanas Betim Maliqi është ndër tre sukseset më të mëdha në historikun e karatesë në Kosovë.
Betim Maliqi, në jetën e përditshme, është një sportist i qetë, i edukuar, që nuk lë përshtypjen se është kampion në karate. Por në arenën e garave, Betimi është i pakompromis ndaj kundërshtarëve të tij.
Sukseset e Betimit janë të lidhura ngushtë me trajnerin e tij nga KK “Katana”, Agron Tosuni, i cili tashmë për 15 vite ka qenë udhërrëfyesi i tij.
“Betimi është pjesë e klubit tonë që nga mosha 8-vjeçare. Për 15 vite ka qenë nën kujdesin dhe stërvitjet që i bëjmë. Është një sportist shumë i mirë dhe i disiplinuar, kërkon shumë nga vetja. Këto suksese që i ka arritur gjatë karrierës së tij janë rezultat i një pune të palodhur tash e 15 vite. Jam shumë i lumtur që Betimi po realizon ëndrrën e tij si sportist. Është një rast i mirë që në Kampionatin Botëror në Kajro 2025 ta dëshmojë veten dhe të realizojë ëndrrat. Jemi që tani duke u përgatitur për këtë sfidë të madhe jetësore për të arritur qëllimin – së bashku me karateistin Betim Maliqi,” ka bërë të ditur trajneri i tij, Agron Tosuni.
Betim Maliqin e pret një sfidë jetësore më 27-30 nëntor në Kampionatin Botëror në Kajro.
“Është një ëndërr e imja dhe e trajnerit tim Agron Tosuni që të marrim pjesë në këtë Kampionat Botëror. Do të jetë shumë e vështirë – në kategorinë time Kumite -75kg do të kem përballë 31 garues nga mbarë bota. Për të qenë sa më i përgatitur, kemi filluar ushtrimet intensive me trajnerin. Në këtë sfidë botërore do të japim më të mirën që dimë dhe mundemi, për të arritur rezultate kulminante, për ta bërë popullin tim krenar – familjen, trajnerin dhe shokët e klubit,” shprehet Maliqi.
23-vjeçarin Betim Maliqin në shtator e presin dy paraqitje të forta në Austri dhe në Spanjë, në Kampionatin Mesdhetar.
Për të pasur suksese edhe më të mëdha, siç është rasti i Betim Maliqit që do të përfaqësojë Kosovën në Kampionatin Botëror të Karatesë, nevojitet kujdes dhe përkrahje e madhe institucionale dhe komunale – gjë që për fat të keq mungon. Duhet të theksojmë se kundërshtarët e Betimit gëzojnë përkrahje të madhe financiare nga shtetet dhe vendet e tyre, si dhe nga sponsorë të shumtë të sektorit privat.
Fatkeqësisht, deri më tani askush nuk e ka ndihmuar Betim Maliqin, edhe pse ekziston Ligji për Sponsorizim. Nëse e anashkalojmë këtë kampion dhe talent të madh sot, historia nuk do të na falë nesër. Është e domosdoshme që Komuna dhe afaristët gjilanas t’i dalin në ndihmë këtij kampioni, për të na bërë krenarë duke përfaqësuar shtetin e Kosovës, dhe mbi të gjitha, Komunën e Gjilanit.