Klubi i Hendbollit Drita nga Gjilani, që sivjet pati paraqitje shumë të mira në kampionat, shkëlqyeshëm po luan edhe në garat për kupë, ku mëton të arrijë sa më larg që është e mundur. Klubi bardh e kaltër këtë të enjte ka zhvilluar ndeshje me Drenicën e Skenderajt, të cilën e ka mundur me rezultat të thellë 32:22.
Të gjithë lojtarët që u paraqitën në fushë e kanë arsyetuar besimin që u kanë dhënë trajnerët Erhan Shahini dhe Luan Sllamniku, andaj me lojë të fortë në mbrojtje, kundërsulme të shpejta, pritje të shkëlqyeshme nga ana e portierëve dhe gola atraktivë ia kanë dalë të shënojnë fitore me dhjetë gola dallim.