Shkruan: Sherafedin Kadriu, QRTK – Gjilan
Kisha e Shën Jozefit është ndërtuar në vitin 1969. Për material ndërtimi është përdorur betonarmeja. Ndërsa, ana e jashtme është fasaduar me gurë të përpunuar mirë, të cilët janë marrë në vendin e quajtur Stubllavaçë. Po, kështu ka ndodhur edhe me kishën e Shën Ndout të Binçës. Gurët shpesh janë të gravuar me vijëza të pjerrëta dhe me të hirtën e nuancuar. Në pjesën e sipërme të fasadës ndodhet një kryq latin, mbi të cilin qëndron mbishkrimi: Martirët tanë 1846-1848.
Kisha e Shën Jozefit është trianiatëshe, me transept, me naosin që përfundon me absidën dhe dy nefet anësore pa absidë. Absida nga jashtë është pesëkëndëshe, dy prej këndeve thellohen në sipërfaqe, ndërsa tre të tjerë dalin barabar me sipërfaqen. Për dallim nga kishat e vjetra paleokristiane, në të cilat naosi zakonisht ka dysheme më të ngritur se dy nefet anësore, këtu ndodh e kundërta, nefet kanë dysheme më të ngritur se naosi. Ndarja e nefeve është bërë me shtylla katërkëndëshe, pa arkada. Përndryshe, kjo kishë ka tavan në formë të arkivolit.
Në hyrje ndodhet një hajat i hapur, ndërsa pas hyrjes kryesore ndodhet një korridor i vogël i thurur me dritare dhe me tri dyer, të cilat shpijnë në sallën e lutjeve. Hyrja kryesore shfrytëzohet sidomos për raste martesash, nga e cila hyn nusja me dhëndrin dhe përcjellësit e saj, ose këtë hyrje e shfrytëzojnë edhe të rinjtë kur kungohen. Sigurisht që me ta është edhe prifti. Hyrja në të djathtë shfrytëzohet vetëm nga meshkujt, kurse ajo në të majtë vetëm nga femrat.
Në të tri nefet janë vendosur stolat për qëndrim të besimtarëve. Në krye të naosit ndodhet prezbitumi me pjesët e tij: në të djathtë është pagëzimorja, ndërsa në të majtë amboni, ku lexohet dhe interpretohet fjala e Zotit, sikundër edhe në kishën e Shën Ndout të Binçës. Në mes është tryeza e altarit me relikerin brenda. Në altar, ngritur në reliev, ndodhet shkronja M, e cila simbolizon martirizimin e shqiptarëve të katër fshatrave të Karadakut gjatë viteve 1846-1848, të cilët nën presionin çnjerëzor të turqve u shpërngulën në Turqi. Gjithashtu janë katër pilastra të cilat simbolizojnë katër fshatrat nga të cilat u shpërngulën shqiptarët katolikë (Stublla, Binça, Vërnakolla dhe Terziaj).
Një sintron i improvizuar formohet nga dy shkallë, në të cilin është vendosur një karrige e tipit të katedrës. Anash saj ka edhe karrige tjera, po më të vogla, të cilat shërbejnë për ndihmësit e priftit. Në podiumin e absidës është vendosur sakramenti i shenjtë, mbi një shtyllë pa bazament, me një pllakë mbi të, ndërsa një shtyllë tjetër, pakëz më vegël, mban një punim me vazo dhe ushqim në të.
Në dy qoshet ndodhet nga një pllakë, mbi katër shtylla të hullizuara. Mbi pllakën në të majtë ndodhet Zoja e Luralit dhe një besimtare ( e punuar nga gipsi), ndërsa në pllakën e djathtë ndodhet truporja e Shën Jozefit, (e punuar prej druri) të cilit i është kushtuar kisha. Anash janë dy hyrje në anë të ndryshme që komunikojnë me dhomat përkatëse, atë të priftit dhe atë të rraqeve. Te dy këto dhoma kanë edhe hyrjet e veçanta nga jashtë.
Kori dhe orkestra e kishës janë të vendosur në kat, përballë absidës. Podiumi i korit ngrihet për 30 cm nga dyshemeja e katit, ndërsa kori shfrytëzon shkallaret prej druri, gjithsej katër sosh. Komunikimi me këtë pjesë të kishës bëhet nëpërmjet shkallëve të hekurit, me bazë afër hyrjes së djathtë të sallës së lutjeve.
Në muret e absidës janë muralet shumë interesante. Në ballë është Darka e Fundit, ndërsa në të djathtë të saj murali i titulluar Kalvari, sikundër në të majtë, murali i titulluar Dëshmia. Dy muralet anësore kanë për motiv shpërnguljen me dhunë të shqiptarëve të Karadakut në Turqi. Piktor është P. Sheldija, 2011.
Sikundër në kishat tjera katolike, edhe në këtë kishë, është paraqitur pjesa e domosdoshme Udha e Kryqit, e cila përbëhet nga 14 figura të kornizuara të cilat shpërfaqin veprimtarinë e Jezuit.
Tavani i absidës ka të gravuar një kryq latin, ndërsa dritësohet nga dritare të veçanta. E gjithë salla e lutjeve gjithashtu dritësohet nga 8 dritare, nga katra në nefet anësore.
Në nefin e djathtë, në ballë të tij, ndodhet një tryezë altari dhe truporja e Zojës Shën Premte, e marrë në Kishën e Shën Anës në Dunav sepse kjo e fundit nuk është aktive, pasi të gjithë banorët janë shpërngulur nga fshati. Në nefin e majtë, në ballë të tij është një mural i Jezuit.
Kambanorja është pjesë e kishës, e cila kur del sipër objektit dritësohet me tre radhë dritaresh. Në radhën e parë ka nga dy dritare në të katër anët, ndërsa në dy radhët tjera, njëra pas tjetrës ka nga një dritare më tepër. Dhe, përsëri në kulmin më të lartë të kambanores, se ka disa kulme të përthyer, ndodhet një kryq.
Kisha e Shën Jozefit ka një pozitë gjeografike shumë të mirë, në një kodër të rrafshët, me oborr të rregulluar mirë, gjelbëruar me arra e blinj dhe shtigje me kalldrëme ndërmjet oazave të gjelbra me barë.