Gjilan, 27 gusht / Me dy takimet e fundit, njëri me gra e rini dhe tjetri me komunitete, Komuna e Gjilanit e ka përmbyllur ciklin e dëgjimeve buxhetore, ku i ka dëgjuar dhe evidentuar kërkesat e qytetarëve nëpër lokalitete, të cilat do të merren parasysh në përpilimin e listës së prioriteteve për investime gjatë vitit 2022.
Shpresa Kurteshi Emini, kryesuese e Kuvendit Komunal, i ka inkurajuar pjesëmarrësit në dëgjime publike që pa asnjë rezervë t`i paraqesin nevojat e tyre për investime, në mënyrë që ato të mund të planifikohen dhe përfshihen në buxhetin e vitit 2022.
Gratë e Gjilanit, si nevoja me prioritet kanë paraqitur themelimin e një fondi për viktimat e dhunës në familje, për gratë e moshuara, pastaj mbështetje për fuqizimin ekonomik të gruas dhe bizneseve që udhëhiqen nga gratë, sikurse nevojitet mbështetje edhe për nënat vetushqyese si dhe për aktivitete të ndryshme të grave.
Përfaqësuesi i komunitetit serb ka kërkuar përfshirjen në investimet e vitit 2022 të projektit për rregullimin e kanalizimit të ujërave atmosferikë në Shillovë, derisa përfaqësuesit e fshatit Cërnicë, që po ashtu kanë marrë pjesë në takimin e sotëm, kanë kërkuar rregullimin e kanalizimit, pastrimin e lumit, rregullimin e rrugëve të brendshme dhe trotuarit.
Rregullimi i rrugëve të kategorisë së tretë, përkatësisht rrugëve bujqësore u kërkua edhe për fshatin Vrapçiq.
Kryesuesja e Kuvendit, Shpresa Kurteshi-Emini ka premtuar se të gjitha kërkesat e parashtruara nga qytetarët në këto dëgjime buxhetore, do të diskutohen dhe shqyrtohen bashkërisht me kryetarin e Komunës si dhe drejtorët komunale dhe do të vendosen në listën e investimeve në bazë të prioriteteve.
Sa i përket kanalizimeve dhe ujërave atmosferikë, ajo ka thënë se ky problem zgjidhet përfundimisht me ndërtimin e impiantit, që pritet të realizohet gjatë vitit 2022.
“Ne jemi duke bërë përpjekje maksimale si Komunë që buxhetin ta shpërndajmë në mënyrë të balancuar, duke u dhënë përparësi projekte madhore, të cilat e përmirësojnë jetën e qytetarëve, si në fshatra, ashtu edhe në qytet”, ka thënë Kurteshi-Emini.
Dëgjimet buxhetore janë organizuar nga Komiteti për Politikë dhe Financa dhe ato janë mbajtur në disa lokalitete, përfshirë edhe takimet me gra, rini dhe komunitete.