Kanë nisur aktivitet dyjavore për të shënuar 21 marsin – Ditën Ndërkombëtare të Sindromës Down dhe 2 prillin – Ditën Botërore të Autizmit, të organizuara nga Komuna e Gjilanit, përkatësisht Drejtoria e Arsimit në Kampusin Shkollave të Mesme në Gjilan.
Në këto aktivitete ishin të pranishëm fëmijët dhe të rinjtë me Sindromën Down dhe Autizëm, prindërit dhe kujdestarët, psikologët dhe profesionistët që po kontribuojnë dhe të gjithë ata që jenë pjesë e një komuniteti më të dashur dhe gjithëpërfshirës.
Drejtori për Arsim në Komunën e Gjilanit, Shpend Nuhiu, tha se sot, në Ditën Botërore të Sindromës Down, riafirmojmë përkushtimin tonë ndaj vlerave të barazisë, përfshirjes dhe mbështetjes për të gjithë fëmijët, pa dallim. Kjo ditë nuk është vetëm një moment reflektimi, por një thirrje për veprim të vazhdueshëm, që çdo fëmijë të ndihet i pranuar, i mbështetur dhe i përfshirë në të gjitha aspektet e jetës shkollore dhe shoqërore në qytetin tonë.
Sipas tij kjo kampanjë dyjavore që kanë organizuar në Kampusin e Shkollave të Mesme, nën moton “Më prano, më mbështet, më përfshij”, është një dëshmi e angazhimit tonë shoqëror dhe institucional për të krijuar një mjedis më të drejtë dhe gjithëpërfshirës.
“Në këtë drejtim, ne kemi bërë përpjekje për të siguruar mbështetje më të madhe për fëmijët me nevoja të veçanta. Kemi ngritur dhe funksionalizuar gjashtë dhoma burimore në shkolla të ndryshme, të pajisura me mjetet e nevojshme për mësimdhënie dhe terapi efektive. Numri i asistentëve për fëmijët me nevoja të veçanta është rritur nga 5 në 30, duke ofruar ndihmën e nevojshme për një zhvillim më të mirë arsimor dhe social të tyre”, tha Nuhiu.
Drejtori i Arsimit, tregoi se për herë të parë, kanë angazhuar gjashtë logopedë, të cilët po punojnë në shkolla për të mbështetur fëmijët me vështirësi në të folur dhe komunikim.
Ai tha se kanë formuar një grup profesionistësh pedagogjik për vlerësim të fëmijëve, duke siguruar që secili prej tyre të ketë një qasje të personalizuar dhe të drejtë në arsim.
“Kemi edhe një zyrtare të dedikuar për fëmijët me nevoja të veçanta në kuadër të drejtorisë, e cila koordinon dhe ndjek nga afër të gjitha iniciativat dhe shërbimet për ta. E ardhmja na kërkon më shumë. Dhe me dëshirë e vullnet, ne do të vazhdojmë të avancojmë dhe përmirësojmë shërbimet që ofrojmë. Synimi ynë është të rrisim edhe më tej numrin e profesionistëve, të investojmë në pajisje dhe mjete moderne, si dhe të ndërtojmë ura më të forta bashkëpunimi me organizata dhe institucione që mbështesin këtë kauzë”, tha Shpend Nuhiu.
Drejtori i Arsimit, shtoi se të gjithë bashkë, me përkushtim dhe dashuri, mund të ndërtojmë një shoqëri më të drejtë dhe më të barabartë për çdo fëmijë. Le të jetë kjo ditë një kujtesë që pranimi, mbështetja dhe përfshirja nuk janë vetëm fjalë, por vlera që duhet t’i zbatojmë çdo ditë.
Nënkryetarja e Komunës së Gjilanit Leonora Morina Bunjaku, tha se sot, në këtë ditë të veçantë, janë mbledhur për të festuar dhe për të reflektuar mbi rëndësinë e përfshirjes, dashurisë dhe barazisë për të gjithë fëmijët, veçanërisht për ata me Sindromën Down.
Sipas saj fëmijët me Sindromën Down, nuk janë ndryshe nga të tjerët në atë që ka më shumë rëndësi: ata kanë ëndrra, dëshira dhe potencial të jashtëzakonshëm për të kontribuar në shoqëri. Çdo buzëqeshje e tyre, çdo përqafim dhe çdo arritje e tyre janë një dëshmi e fuqisë së shpirtit njerëzor dhe e vlerave që na bëjnë të gjithëve më të mirë.
“Si shoqëri, ne kemi përgjegjësinë që t’u krijojmë mundësi të barabarta për arsimim, zhvillim dhe punësim. Të sigurojmë që zëri i tyre të dëgjohet dhe që të ndihen të pranuar e të vlerësuar, ashtu siç janë: unikë, të veçantë dhe të dashur”, tha Morina Bunjaku.
Nënkryetarja e Gjilanit, theksoi se prindërit dhe familjarët janë heronjtë e vërtetë. Dashuria, durimi dhe përkushtimi juaj janë frymëzim për të gjithë ne. Falë jush, këta fëmijë rriten me besim dhe guxim për të sfiduar çdo paragjykim.
Sipas saj sot, le të mos jetë thjesht një ditë ndërgjegjësimi, por një premtim i përbashkët se do të punojmë çdo ditë për një shoqëri më të drejtë dhe më të përfshirëse.
“Një shoqëri ku çdo fëmijë, pavarësisht dallimeve, ka të drejtën të ëndërrojë dhe të arrijë suksesin e tij. Le të festojmë jetën, diversitetin dhe fuqinë e dashurisë që na bashkon”, tha nënkryetarja Morina Bunjaku.
Për herë të parë, DKA-ja organizon një aktivitet dyjavor të jashtëzakonshëm për të shënuar 21 marsin – Ditën Ndërkombëtare të Sindromës Down dhe 2 prillin – Ditën Botërore të Autizmit.
Aktivitet vazhduan me mbathjen e çorapeve të ndryshme posaçërisht nga psikologet. Pastaj me pika muzikore nga fëmijët e Shkollës së Muzikës e të tjerë dhe ekspozita artistike, aktivitete të hapura me fëmijët, pikturë, vallëzim, vallja e pinguinit e të tjera.