Gjilan

Komuna e Gjilanit me donatorët hapin puse për ujë të pijshëm  

Gjilan, 13 korrik 2020 – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka marrë pjesë në hapjen e puseve të ujit të pijshëm në Lagjen e Rrushnajave, projekt ky që është financuar nga Qeveria e Kuvajtit, pas ndërtimit të “Fshatit Social” për fëmijët jetim, personat me nevoja të veçanta e deri te të moshuarit pa përkujdesje, gratë e sprovuara me dhunë në familje dhe qendrën edukuese.

Kryetari Haziri, në fjalën e tij, ka thënë se ky projekt është duke u realizuar në koordinim me përfaqësuesit e Kuvajtit në Kosovë, KRU ‘Hidromorava’ dhe Bashkësinë Islame në Gjilan, sepse uji është jetë dhe program kryesor ku jemi të fokusuar.

“Komuna e Gjilanit është e angazhuar maksimalisht me KRU “Hidromorava” për të stabilizuar gjendjen me furnizim me ujë të pijshëm dhe angazhimi është që nga viti i kaluar. Ne, me Bankën Botërore, e kemi bërë zgjidhjen afatgjate dhe projekti është miratuar në Washington nga bordi i drejtorëve para disa javësh dhe tani negociohet deri në ratifikim të marrëveshjes, për Gjilanin dhe Komunat në regjion. Ajo që na gëzon është mbështetja e parezervë e donatorëve nga Kuvajti, që kanë ndërtuar ‘Fshatin Social’ që është projekti kapital dhe unik në tërë territorin e Republikës dhe më gjerë. Hapja e këtyre puseve është zbutje e problemeve për Gjilanin në pjesën urbane. Në këtë lagje jemi në përfundim të projekteve të infrastrukturës, si në rrjetin e kanalizimit, ujësjellësit dhe asfaltimit të rrugëve”, ka thënë Haziri.

Në emër të donatorit ka folur, Islam Cakaj, ka thënë se gjithmonë janë pranë kërkesave të Komunës së Gjilanit dhe Bashkësisë Islame dhe kjo që është duke u bërë sot në Gjilan është për të ndihmuar në zgjidhjen e problemit të ujit të pijshëm.

Mumin Morina, në emër të KRU ‘Hidromorava’, ka thënë se ky projekt është i rëndësishëm, sepse me këtë po bëhet më i lehtë angazhimi në zgjidhjen e problemit me furnizim me ujë, pas gjendjes së vështirë që ishte Gjilani që nga viti i kaluar, kur vendin e kaploi thatësia e madhe dhe mungesa e reshjeve.

Ndërsa në fjalën e tij, Iljaz Mustafa, ka falënderuar donatorin dhe është shprehur se kontributi në interes të përgjithshëm është me vlerë të madhe, ngaqë me këtë përfitues janë një numër i konsiderueshëm i qytetarëve.

You Might Also Like