Njësia për të Drejta të Njeriut e Komunës së Gjilanit, ka nisur fushatën vetëdijësuese për parandalimin dhe luftimin e trafikimit me qenie njerëzore, e cila do të zgjasë deri më 18 nëntor 2025.
Në kuadër të kësaj fushate do të zhvillohen aktivitete ndërgjegjësuese dhe edukative nën moton “Mos hesht”, me qëllim ngritjen e vetëdijes për rreziqet që paraqet kjo dukuri, si dhe për mënyrat e mbrojtjes dhe raportimit të rasteve të mundshme të trafikimit.
Aktivitetet nisën sot, ku ishin zyrtarët e institucioneve lokale, si nga: Njësia për të Drejta të Njeriut, Policia, Qendra për Punë Sociale, Drejtoria e Arsimit, Asambleja e Fëmijëve, Avokati i Popullit dhe Shoqëria Civile.
Gjatë këtij muaji do të organizohen ligjërata ndërgjegjësuese me nxënësit e shkollave te mesme të ulëta, për t’i informuar ata mbi format e trafikimit, mënyrat e mbrojtjes, si dhe institucionet dhe mekanizmat ku mund të raportojnë dhe të kërkojnë ndihmë.
Komuna e Gjilanit, në koordinim të plotë me institucionet lokale dhe partnerët relevantë, përkrah fuqishëm këtë fushatë, duke ofruar mbështetje të plotë institucionale në realizimin e saj.
Mesazhi i fushatës: “Trafikimi prekë të gjithë! Ta mbrojmë veten dhe fëmijët tanë!” Slogani: “Mos hesht”
Vetëm përmes edukimit, bashkëpunimit dhe vetëdijesimit të qytetarëve mund të luftojmë dhe parandalojmë trafikimin me qenie njerëzore, duke mbrojtur dinjitetin dhe të drejtat themelore të njeriut.





