OPINION

Komuna e Gjilanit pa plane pune dhe strategji për vitin 2026

Shkruan: Bashkim Isufi

Mungesa e planeve dhe strategjive për vitin 2026 nga Komuna e Gjilanit është një alarm për transparencën dhe efikasitetin e administratës lokale.

Për vitin 2026, Komuna e Gjilanit nuk ka publikuar planet vjetore të punës së drejtorive dhe as një dokument të qartë strategjik zhvillimor. Mungesa e këtyre dokumenteve bazë planifikuese paraqet një boshllëk serioz në funksionimin institucional, duke e vështirësuar monitorimin e performancës së administratës komunale dhe lidhjen e objektivave programore me buxhetin vjetor dhe nevojat reale të qytetarëve.

Planet e punës dhe dokumentet strategjike nuk janë vetëm instrumente formale, por mekanizma thelbësorë të menaxhimit publik. Ato përcaktojnë prioritetet, objektivat, aktivitetet, indikatorët e matjes dhe rezultatet e pritshme të secilës drejtori dhe të komunës në tërësi. Pa këto dokumente, veprimtaria institucionale rrezikon të zhvillohet në mënyrë reaktive dhe jo mbi bazë të planifikimit të strukturuar dhe të matshëm.

Nga aspekti ligjor dhe rregullativ, korniza e vetëqeverisjes lokale dhe sistemi i menaxhimit të performancës së komunave kërkojnë përdorimin e të dhënave të sakta, objektivave të matshme dhe dokumenteve planifikuese e raportuese. Planet vjetore të punës përbëjnë bazën për vlerësimin e performancës institucionale, për raportimin publik dhe për mbikëqyrjen administrative e financiare. Mos hartimi ose mos publikimi i tyre bie ndesh me parimet e transparencës, llogaridhënies dhe menaxhimit me rezultate.

Mungesa e planifikimit të publikuar për vitin 2026 krijon gjithashtu shkëputje mes objektivave të drejtorive dhe ndarjeve buxhetore. Në menaxhimin modern publik vlen parimi i qartë: planifikimi programor duhet t’i paraprijë buxhetimit dhe zbatimit. Kur kjo lidhje mungon, rritet rreziku i inicimit të aktiviteteve pa mbulesë të qartë programore dhe financiare, i devijimit të prioriteteve dhe i përdorimit joefikas të mjeteve publike.

Në mungesë të planeve dhe indikatorëve të performancës, bëhet i pamundur vlerësimi objektiv i rezultateve të administratës. Kjo dobëson kontrollin demokratik, e vështirëson rolin monitorues të shoqërisë civile dhe mediave, si dhe zvogëlon mundësinë e krahasimit të arritjeve ndërmjet periudhave buxhetore. Po ashtu, procesi i mbledhjes dhe trajtimit të kërkesave të qytetarëve mbetet pa përkthim të qartë në objektiva dhe masa konkrete operative.

Një situatë e tillë rrit rrezikun e vendimmarrjes ad-hoc, përzgjedhjes selektive të projekteve dhe orientimit të investimeve pa një kornizë të shpallur prioritetesh. Kjo cenon drejtpërdrejt parimet e barazisë në trajtim, efikasitetit të shpenzimeve publike dhe integritetit institucional — shtylla themelore të qeverisjes së mirë komunale.

Në këto rrethana, procesi i emërimit të drejtorëve dhe drejtuesve të rinj duhet të lidhet ngushtë me rikthimin e planifikimit strategjik dhe operativ. Çdo emërim drejtues duhet të shoqërohet me paraqitje të platformës konkrete të veprimit, me objektiva të matshme, aktivitete të planifikuara dhe indikatorë rezultati, të cilat më pas harmonizohen me planin e përgjithshëm komunal dhe me kornizën buxhetore. Kjo siguron që funksioni drejtues të mos mbetet formal, por të mbështetet në përgjegjësi të qarta dhe rezultate të verifikueshme.

Hartimi dhe publikimi urgjent i planeve të punës dhe i dokumentit strategjik për vitin 2026 është domosdoshmëri institucionale. Vetëm përmes planifikimit të strukturuar, transparencës dokumentare dhe matjes së performancës mund të sigurohet qeverisje komunale e përgjegjshme, e orientuar në rezultate dhe në shërbim real të qytetarëve

You Might Also Like