KOMUNA PROBLEMATIKE VAZHDON ME AVAZIN E VJETËR – E SHKEL NË VAZHDIMËSI LIGJIN PËR PLANIFIKIM HAPSINOR PËRMES SHKELJES SË PLANEVE RREGULLUESE TË KOMUNËS
Drejtoria e urbanizmit shkel planin rregullues, lëshon leje ndërtimore duke u bazuar në Planin Zhvillimor Urban (PZHU) (edhepse kjo është e pa lejueshme)
Vetëm pak metra nga tregu i gjelbërt, ka filluar ndërtimi i objektit banesor-afarist që është investim i kompanisë ndërtimore “City Projects-3”. Ky investitor është pajisur me leje ndërtimore në shtator të këtij viti për ndërtimin e objektit banesor-afarist, por që është në kundërshtim me Planin Rregullues Urban “Qendra Zona 1”. Ky plan rregullues është ende në fuqi dhe në atë hapsirë është paraparë ndërtimi i trasesë së re rrugore e cila do të lidhte rrugën e tregut me sheshin mbi shtratin “Mirusha” si dhe është planifikuar ndërtim i banimit të mesëm, me etazhitet apo katësi P+4 (përdhesa plus katër kate të tjera).
Drejtoria për Urbanizëm, Planifikim dhe Mbrojtje të Mjedisit (DUPMM), ia lëshon kompanisë ndërtimore në fjalë Kushtet urbanitiko-teknike për ndërtimin e objektit banesor-afarist me etazhitet “B+P+7+PH” bazuar në Planit Zvillimor Urban “Qytetit i Gjilanit 2006-2015+”, duke marrur për bazë destinimin i cili buron nga ky plan. Kjo është e jashtëligjshme sepse me ligjin për planifikim hapsinor Nr. 04/L-174, planet rregulluese janë ato të cilat janë detyrim për urbanizmin dhe e udhëzojnë atë se si duhet të sillet në zona më të ngushta hapsinore se sa Plani Zhvillimot Urban i komunës.
Plani Rregullues Urban “Qendra Zona 1”, i miratuar nga Kuvendi Komunal gjatë vitit 2010 (derisa komuna qeverisej nga PDK), vazhdon ende të jetë në fuqi sepse nuk ekziston ndonjë vendim i Kuvendi të Komunës që thotë se ky plan është shfuqizuar.
Ligji Nr. 04/L-174 për Planifikim Hapësinor, e thotë në mënyrë të qartë se nuk lejohet ndryshimi i destinimit apo shfrytzueshmërisë së lokacionit nga ajo që është paraparë me dokumentet e planifikimit hapësinor, ku shprehimisht në nenin 26 paragrafi 7, thuhet: “Dokumentet ekzistuese të planifikimit hapësinor, të cilat janë të miratuara mbeten në fuqi derisa të harmonizohen me dispozitat e këtij ligji” (fjala është derisa të hartohet plani i ri zhvillimor i komunës dhe harta zonale e komunës).
Dega e Partisë Demokratike të Kosovës në Gjilan, kërkon nga Drejtoria e Urbanizmt që të pezullojë menjëherë lejen ndërtimore, me të cilën i lejohet kompanisë ndërtimore “City Projects-3” (e përfaqësuar nga F.D. nga Gjilani) që të ndërtojë jashtëligjshëm objektin banesor-afarist me etazhitet “B+P+7+PH” në parcelën kadastrale P-70403013- 05359-0.
Poashtu kërkojmë që organet e drejtësisë (prokuroria) ta përcjell dhe ta trajtojë këtë rast me kohë dhe me saktësi të plotë ligjore.
Me këtë rast, PDK konstaton se shkelësi kryesor i ligjit dhe promovuesi i anarkisë në hapsirën e komunës është Autoriteti Publik e që është Drejtoria për Urbanizëm, Planifikim dhe Mbrojtje të Mjedisit (DUPMM). Pavarësisht që edhe investitori e mban një pjesë të përgjegjësisë me vet faktin që me vetëdije ka bërë kërkesë për shkeljen e PRRU “Qendra Zona 1” por, autoriteti publik është rregullatori ligjor i këtij aspekti dhe ai (DUPMM) nuk ka qenë dashtë në asnjë mënyrë me e lejue një shkelje të tillë me tejkalim ekstrem të sipërfaqes së ndërtimit dhe etazhitetit.
Ne kemi konsideratë të veçantë ndaj investitorëve të brendshëm e të jashtëm të komunës tonë por, kjo është kështu, vetëm atëherë kur ata janë plotësisht të rregullt dhe në harmoni me ligjin dhe aktet nënligjore të Republikës së Kosovës.