Tenori i mirënjohur kosovar, Ramë Lahaj, para ca javësh ka njoftuar për mbajtjen e festivalit të operës “Ramë Lahaj International Opera Festival”, që zgjati nga 29 Korrik deri më 7 Gusht.
Pjesë e këtij festivali ishte edhe Gala Koncerti “Ramë Lahaj & Friends”, me të ftuarit special Lana Kos (Soprano), Simone Piazzola (Bariton), nën shoqërimin e Orkestrës Filharmonike të Kosovës, nën dirigjimin e mjeshtrit Antonello Allemandi, i cili u mbajt më 7 Gusht në sheshin Skënderbeu në Prishtinë.
Koncertin e filloi me “Bareshën”, dhe e përfundoi me “O vendi im”. Përveç publikut të jashtëzakonshëm, mysafir ishin edhe zyrtarë shtetërorë.
“Vlera të larta muzikore dëgjuam mbrëmë. Pas një viti të mundimshëm, jeta ka filluar t’i rimerr ngjyrat e saj. Interesimi i madh i qytetarëve mbrëmë është edhe thirrje për aktivitete të tjera kulturore e artistike”, ka shkruar ndër të tjera kryeministri Albin Kurti në llogarinë e tij në Facebook.
Të njëjtën ditë, të shtunën, më 7 Gusht, ndërroi jetë nëna e Ramës. Këtë e bëri të ditur ai vet, i cili e përfundoi koncertin duke thënë “Nëna vdiq sot”.
Varrimi i saj është bërë dje, më 8 Gusht, në Lubozhdë të Istogut. Ramë, ndër të tjerat sot ka shkruar: ”E pa buzëqeshjen tanë nanë, unë jam krejt i vyshkun. Eh moj nanë, magari që jam, për një moment mendova që muj kthehemi bashkë n’shpi. Fmi hesapi. Gabeli jot”
Por, koncertin e së shtunës nuk e anuloi, koncertin në ditën kur nëna i vdiq. Vetëm një artist i madh është në gjendje ta bëj këtë. Ndonëse e shkurtoi programin e koncertit, nuk i ktheu prapa ata mijëra mysafirë. Dhimbja për nënën është e madhe. Kjo që bëri Ramë Lahaj, është madhështore!
Autore: Ronë Dërmaku