Sherafedin KADRIU
KRITIKË E MBINDËRTUAR POETIKISHT
(Nëpër veprën “Rreth poezisë së Sabit Rrustemit” të kritikut letrar Timo Merkuri nga kaltërsia e Jonit të Sarandës).
Vepra “Rreth poezisë së Sabit Rrustemit” e kritikut të njohur letrar Timo Mërkuri, ka vlerësuar hollësisht nga ana ideore dhe artistike poezinë e poetit Rrustemi, duke zbuluar bukuritë që fshihen në të. Janë ato bukuri simbolike që Timo Mërkuri i vështron nga Joni i tij i magjishëm, dhe atje mbi një valë deti, parafytyron një majë mali Kosove me emrin Çepur. Sa e çuditshme simbolika e atij mali që paska heshtur me mijëra vjet, në mos paska folur pa e dëgjuar, edhe pse është këtu, pranë nesh.
Timo Mërkuri është specialist i kritikës letrare, i formësuar me dashuri vëllazërore përtej kufirit gjembor të asaj kohe të pa kohë. Prandaj, poezia e Kosovës është në “kufirin e zemrës”së tij.
Dhe, më e mira e shkrimeve të tija është vlerësimi estetik i akëcilës vepër, asnjëherë pa parë ndarje të poezisë që lëvrohet në Kosovë nga poezia që krijohet në Shqipëri. Për Timo Mërkurin poezia është një, siç është një dashuria për atdheun e bashkuar.
Vepra nuk është shpërfaqje e shijes, përkundrazi është një gjykim i sistemuar, shpeshherë i nisur vakët, i pajisur me njohuri teorike që mundësojnë kapje të gjithanshme të poezisë së Sabit Rrustemit.
Pa pretenduar se them diçka të jashtëzakonshme për këtë vepër me vështrime kritike, jam i obliguar të konstatoj se mënyra e trajtimit të poezisë së Sabit Rrustemit është shumë komunikuese me lexuesin dhe e shpirtëzon poezinë e këtij autori në raport të drejtë me objektiven.
Duke vështruar dhe lexuar e analizuar përgjithësisht kritikën e sotme letrare shqipe (për aq sa kemi mundësi), në përballje me të, kritika e Timo Merkurit meriton shpërfaqje institucionale sepse, thjesht, është ushqim i domosdoshëm shpirtëror pas një vepre të lexuar.
Interesimi për poetiken e Sabitit është i madh dhe i shpërfaqur edhe nga kritikët letrarë në Kosovë, por konstatimi i Timo Merkurit del të jetë i mbështetur me fakte poetike, kur konstaton se Sabit Rrustemi është poet që i përket rrafshit të epërm të letërsisë shqipe. Pajtohem plotësisht. Një ditë kur të çmohen vlerat, poezia e Sabitit do të marrë vendin meritor, do të interpretohet si poezi pa të cilën nuk do të njihej poezia shqipe në Kosovë, kur të jetë trajtuar si një poezi, si poezia shqipe. Se, ka mjaft poetë e poezi që edhe po nuk i lexove nuk mbetesh mangut fare në aspektin e përmbushjes poetike si lexues, e aq më pak si kritik.
Sipas Timo Mërkurit, Sabit Rrustemi arrin të ngrihet në piedestalin e letrave shqipe me “një stil të vetin të të shkruarit, me vargje të shkurtra, shpesh me gjysëmvargje por me një dendësi revolte të mbrujtur brenda tyre sa që dhe gjatë leximit, brenda vargjeve dëgjohet ritmika si një vrap ushtarësh mbi urë”.
Duket qartë mënyra e vështrimit që merr tone poetike, – një tip rikrijimi me interes ky, i Timo Merkurit.
Si duket një stil i tillë i poetit Rrustemi, e ka cytur sarandjotin ta përcjellë kronologjikisht veprimtarinë poetike të autorit gjilanas duke mos lënë pa përmendur historikun e prezantimeve të tilla. Ai fillon me librin “Ku i la lisat era”, por me një interesim interpretimi të ciklit më të guximshëm politik për kohën dhe patjetër poetikisht në nivel të lartë gjithsesi, me atë titullin domethënë “Mplakja e Zeusit”. Dhe, teksa ka përshkruar ditën e urdhrit të bërjes së një shkrimi për gazetën studentore të vitit 1980 “Bota e Re”, atë ditën e vdekjes së Titos, dhe teksa nuk po i ndezte fare ideja duke shëtitur atyre rrugëve boshe të Prishtinës, Sabiti gjen nismën. Po mendonte për vdekjen e Enver Hoxhës. Dhe shkrimi prej katër faqesh ishte për të, por pa i përmendur emrin. Fliste vetëm përemri i vetës së tretë njëjës Ai, jo Ay, siç e shqiptonte vetë Enveri. E, Ai mund të ishte edhe Titoja, po mund të mos ishte… Dhe, Timo Mërkuri vëllazërisht, përtej poetikës letrare dhe kritikës, shprehet me ton të butë dhe krejtësisht poetik e njëkohësisht shpotitës për vdekjen e Enverit: Nejse, ne e morëm vesh më në fund se kush ja ndolli vdekjen Enverit, ndaj mos pyesni të tjerë.
Asgjë nuk ka të keqe pse ka pak histori sociologjike në raport me poetikën e trajtuar. Kjo mënyrë shkrimi e Timo Mërkurit po pritet me interes nga lexuesit. Pse të mos dijë lexuesi për pozicionin politik e social të poetit të tij?
Informatat e tilla, jo thjeshtë si biografi, po si poetikë e përzier me kritikën ndodhen në librin e Timo Merkurit “Rreth poezisë së Sabit Rrustemit”, botuar në pranverën e këtij viti (2024).
Një vlerësim tej poetikës, e për poetikën e Sabitit nga Timo Merkuri duhet të merret parasysh nga cilido që do të interpretojë nesër veprën artistike të Sabit Rrustemit, se “Rrustemi nuk i përkiste asnjë formacioni politik, por ishte rreshtuar shumë drejtë në formacionit letrar që (jo rastësisht) ecte në hap me kërkesat e shqiptarëve të Kosovës”.
Në kritikën e sotme, me vështirësi gjen përballje veprash, si në kuptimin krahasimtar, si në kuptimin analogjik. Te Timo Merkuri është e pamundur që të tejkalohet ana krahasimtare me vepra tjera, prandaj shkrimet e Timos dalin serioze, të arrira dhe të dëshmuara për njohje teorike dhe praktike të kritikës së mirëfilltë dhe veprave krijuese artistike. E në vazhdimësi të këtij formësimi, le të më lejohet të them atë që është boshti i krahasimit në kritikën e Timo Merkurit, – krahasimi me poezinë popullore, të cilën duket se Timoja e njeh jashtëzakonisht mirë, dhe shpeshherë edhe krahasimi me simbolikën mitologjike.
Është e vërtetë që ndonjë poezi të librit të marrë në shqyrtim, Timo Merkuri e trajton më gjerësisht, sepse vetvetiu nuk mund t’i ikën ndeshjes me të bukurën. Poezitë e tilla, zakonisht janë figurative, me plot metafora, kryesisht të shtrira, simbolika përtej mitologjisë, kontraste dhe elemente të imazhit. Kështu mund të thuhet për ciklin poetik “Mplakja e Zeusit” të vëllimit letrar “Ku i la lisat era”, poezinë “Reliev me plagë” të përmbledhjes poetike “Variacione për lirinë”, Poezia “Hiri i bardhë” që sipas Timos është porta hyrëse në vëllimin poetik “Ëndrra që puthet”, poezia “Motër prej lotësh”, e përfshirë në librin poetik, “Ëndrra që puthet”, poezia tjetër “Ajo hënë me fytyrën tënde”, e cila përfshihet brenda vëllimit të katërt të opusit poetik, “Hyjnorja ime je ti” etj. etj.
Dhe, pasi ka përimtuar të thuash secilën vepër veç e veç dhe të gjitha së bashku, në fund të librit, Timo i ka shkruar një letër të hapur mikut të tij poet, Sabit Rrustemit. Duke qenë se di për problemet e Sabitit në aspektin e mos përsëritjes së kontratës së punës, për çfarë Sabiti u tradhtua pak pa mbërri në pension. Timoja i shpreh ngushëllimin më domethënës, aso ngushëllimi që mbahet në mend: Mos u mërzit miku im, poetët dhe profetët vetëm në vendlindjen e tyre nuk i respektojnë.
S’ka si thuhet ndryshe.
Ende pa e përmbyllur letrën dërguar poetit, edhe njëherë ka vlerësuar lart poezinë e Sabit Rrustemit: Opusi yt krijues, ku ndrin veçanërisht “Hyjnorja ime je ti” katërvëllimëshe me poezi dashurie, unike në Ballkan, ndrin si harku yt i triumfit në letërsinë shqipe”. Ky vlerësim është lartësia më e shëndetshme e pozitives.
Krejt në fund, do të thosha se shkrimi im s’ka si përfundon ndryshe, pos si mendim kritik bazuar në taksonominë e Blumit: Interpretimi i poezisë së poetit Sabit Rrustemit nga kritku letrar Timo Merkuri, pa pasur nevojë për ta shtrënguar tekstin, i kapërcen kufijtë e të zakonshmes.
(Gjilan, korrik me vapë, 2024 )