Futboll

Kryendeshja pa fitues, barazim që nuk i duhet asnjërës

Gjilani: Bllaca, Thaqi, Arago, Roganoviq, Bilali (Shabani), Aganspahiq, Basha (Jaroviq), Kqiku (Prapashtica), Rrahmani, Taipi, Ibrahimi. Kryetrajner: Ardian Nuhiji

Drita: Smakiqi, Ovouka, Messa, Sheji, B. Krasniqi, Dabiqaj, Bonsu (Kostyshyn), Salifu (Selmani), Zylfiu (Ajzeraj), Tusha (Mustafa), Manaj. Kryetrajner: Zekirija Ramadani.

Gjilani dhe Drita janë ndeshur në ndeshjen derbi, në të cilën Drita veç se kishte të siguruar titullin kampion e Gjilani me fitore eventuale edhe më tej do të mund të mbante shpresa për daljen në Evropë.

Pjesëloja e parë ishte plotësisht e barabartë pa raste të mira shënimi e me kujdes të madh nga të dy palët.

Rastin më të mirë në pjesën e parë e pati Aganspahiq, i cili pasi është shërbyer nga Thaqi në të djathtë, me të parën ka qëlluar, por që topi shkoi jashtë portës. Drita për herë të parë ka rrezikuar në minutën e fundit të pjesës së parë nëpërmjet  Veton Tushës, i cili gjuajti nga largësia, por topi shkoi mbi portë për të lënë rrjetat të paprekura në pjesën e parë 0:0.

Në minutën 47 sërish ka rrezikuar Aganspahiq, kësaj radhe pasi gjuajti me kokë, por topi për pak shkoi mbi portë.

Drita pati rast të mirë në minutën 49, kur pas një harkimi nga këndi Dabiqaj gjuajti me kokë, por goditja e tij ishte qendrore dhe atë e priti Aridon Bllaca.

Gjilani ka shënuar në minutën 69 pas bashkëpunimit ndërmjet Ibrahimit, Prapashticës e Aganspahiq që shënoi me kokë, por VAR gjeti se Prapashtica ishte në pozitë jashtë loje, andaj goli u anulua.

Në minutën 80 Thaqi harkoi për Jaroviqin, por gjuajtja e tij me kokë nuk ishte e fortë. Edhe në minutën 83, pas harkimit të Roganoviëqit, Shabani gjuajti me kokë, por topi shkoi mbi portë.

Gjilani rastin më të mirë e pati në minutën 90, kur pas dëbimit të topit gjuajti Jaroviq, por Smakiqi shpëtoi gol të sigurt.

Pak para fishkëllimës së fundit, Shabani pati rast që të përcaktojë fituesin, por ai gjuajti drejt në portierin Smakiqi dhe ndeshja përfundoi pa gola. /kryelajmi.com/.

You Might Also Like