Gjilan, 10 mars 2022 – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka marrë pjesë në ceremoninë e organizuar me rastin e shënimit të 9-vjetorit të themelimit të Universitetit Publik “Kadri Zeka”.
Me këtë rast, kryetari Hyseni tha se Gjilani e kishte themelimin e një universiteti këtu nevojë te pashmangshme dhe të domosdoshme.
“Si sot, 9 vite më parë, u themelua Universiteti i Gjilanit “Kadri Zeka”. Gjilani, si një nga qytetet kryesore të Republikës, si qyteti kryesor i anamoravës dhe në vije kufitare me Luginën e Preshevës, e kishte themelimin e një universiteti këtu nevojë te pashmangshme dhe të domosdoshëm”, ka thënë kryetari Alban Hyseni.
Fjala e plotë e kryetarit Hyseni:
I nderuari rektor z.Bajram Kosumi,
Të nderuar student,
Të nderuar të pranishëm,
Universiteti, si një tempull i dijes, zhvillimit intelektual e profesional, është mundësia me e mirë për progres shoqëror. Rruga që të dërgon deri tek universiteti fillon që nga nivelet më të ulëta arsimore. Synimi i jone si shoqëri dhe ai politik është që kjo rrugë te forcohet. Është shume e rëndësishme qe fëmijëve tanë t’u ofrohen çdo here e më shumë, kushte dhe mundësi më të mira për mësim marrje. Siç e dimë, përfitimi i dijes është e drejtë themelore e shoqërisë ku nëpërmjet universitetit e përforcojmë, e zhvillojmë në të menduarit kritik dhe shkencor.
Universiteti është shtëpia e atyre që nuk trembën të ndjekin rrugën e shkencës drejt formimit të intelektualit organik, qendra e arsyes kritike, pararoja e inovacionit teknologjik, vatra e ideve emancipuese dhe e rezistencës ndaj padrejtësive sociale, shembulli i zbatimit të demokracisë së drejtpërdrejtë, transparencës dhe gjithëpërfshirës edhe në sferën politike.
Si sot, 9 vite më parë, u themelua Universiteti i Gjilanit “Kadri Zeka”.
Gjilani, si një nga qytetet kryesore të Republikës, si qyteti kryesor i anamoraves dhe në vije kufitare me Luginën e Preshevës, e kishte themelimin e një universiteti këtu nevojë te pashmangshme dhe të domosdoshëm. Ashtu siç e kishte synimin 9 vite më parë, do të duhet të vazhdojë me të njëjtin synim, ngritjen e nivelit akademik dhe edukimit të një shoqërie dhe barazisë në shtresa. Duhet të jemi të vëmendshëm të kuptojmë që arsimi është një investim shoqëror dhe jo një sakrifice individuale.
Të nderuar të pranishëm, Të jesh aktiv do të thotë të jesh i përgjegjshëm. Përgjegjës jemi gjithmonë, gjithkund. Si qytetarë të Kosovës, si pjesëtarë të kësaj bashkësie politike, ne mbajmë përgjegjësi edhe atëherë kur jemi pasivë. Qytetaria aktive është themeli i pushtetit të drejtë. Qytetari aktiv vepron dhe ka edhe vullnet. Pikërisht duke u bazuar ne këto, arsimimi është themeli i qytetarit aktiv ndërsa universiteti është pjekuria e tij. Është i domosdoshëm bashkëpunimi i institucioneve dhe synimi është që jo vetëm universiteti Kadri Zeka, po në të gjitha institucionet arsimore të dalin kuadro sa më aktive, intelektuale për te mirën e komunitetit, dhe zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.
Edukimi është një proces tërë jetësor dhe universiteti është shtëpia e dijes dhe lirisë intelektuale.