Gjilan

Kryetari Hyseni dhe kryetarja e Preshevës Sinani, thonë se Gjilani mbetet shtëpi e hapur për Luginën

Kryetari i komunës, Alban Hyseni, priti në takim kryetaren e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, ku kanë biseduar lidhur me funksionalizimin e sportelit për pranimin e dokumenteve për të huaj në Qendrën për Pajisje me Dokumente të Ministrisë së Punëve të Brendshme në Gjilan.
I pari i Gjilanit, tha se: sot pritën në takim kryetaren e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani.
Ai tregoi se një nga pikat kryesore të bisedës ishte funksionalizimi i sportelit për pranimin e dokumenteve për të huaj në Qendrën për Pajisje me Dokumente të Ministrisë së Punëve të Brendshme, e cila tashmë po shërben si adresë kryesore për të gjithë banorët nga Presheva, Bujanoci e Medvegja, e vende tjera.
“Përmes kësaj zyre, po lehtësojmë procedurat administrative dhe po punojmë intensivisht për t’u dhënë zgjidhje përfundimtare problemeve me dokumentacion dhe lejeqëndrim”, tha Alban Hyseni.
Kryetari i komunës theksoi se Gjilani mbetet shtëpi e hapur për Luginën, andaj bashkëpunimi ynë do të vazhdojë të thellohet në çdo fushë, nga projektet infrastrukturore deri te mbështetja sociale e kulturore.
“Faleminderit mikes time Arditës për vizitën dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm”, tha kryetari Hyseni.
Ndërsa kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, tha se sot në Gjilan zhvilluan një takim të rëndësishëm me kryetarin e komunës, Alban Hyseni, ku diskutuan për funksionalizimin e sportelit për pranimin e dokumenteve për të huaj në kuadër të Qendrës për Pajisje me Dokumente të Ministrisë së Punëve të Brendshme, i cili tashmë u shërben qytetarëve nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja.
“Ky është një hap i rëndësishëm drejt lehtësimit të procedurave dhe zgjidhjes së çështjeve të dokumentacionit dhe lejeqëndrimit për qytetarët tanë”, tha Ardita Sinani.
E para e Preshevës, tregoi se në kuadër të kësaj vizite, zhvilluan edhe një takim pune në këtë zyrë, ku u njoftuan nga afër me ecurinë e aplikimeve, si dhe me sfidat dhe nevojat aktuale në ofrimin e shërbimeve.
“Theksuam rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit ndërinstitucional, me qëllim përmirësimin e vazhdueshëm të shërbimeve dhe avancimin e pozitës së qytetarëve tanë”, tha Sinani.
Kryetarja shtoi se Gjilani mbetet një derë e hapur për Luginën dhe bashkëpunimi ynë do të vazhdojë të forcohet në të mirë të përbashkët.
“Faleminderit për mikpritjen dhe bashkëpunimin”, tha kryetarja Ardita Sinani.

You Might Also Like