Gjilan

Kryetari Hyseni merr mbështetje nga presidentja Osmani për t’í shtyrë përpara projektet zhvillimore për Gjilanin

Kryetari Hyseni merr mbështetje nga presidentja Osmani për t’í shtyrë përpara projektet zhvillimore për Gjilanin

Gjilan, 6 prill 2022 – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, së bashku me kryesuesin Arianit Sadiku dhe bashkëpunëtorët, ka pritur në takim presidenten e Republikës, Vjosa Osmani.

Pasi e falënderoi presidenten Osmani për vizitën, kryetari Hyseni tha se ndjehet i nderuar që Gjilani është komuna e parë që është zgjedhur për këtë vizitë.

“Unë e kam njoftuar presidenten për disa prej problemeve kryesore, prioritetet tona dhe disa prej projekteve që i kemi inicuar deri tani. Ne kemi marrë mbështetje për të na ndihmuar dhe për t’i shtyrë përpara projektet e përbashkëta”, ka thënë kryetari Alban Hyseni, në një prononcim para gazetarëve.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e ka falënderuar kryetarin Hyseni për pritjen, derisa tha se vizitën e ka filluar tek kryetari më i ri në moshë, për t’i inkurajuar të rinjtë që të angazhohen në politikë, në vendimmarrje.

“Jemi jashtëzakonisht të inkurajuar nga projektet që Komuna e Gjilanit ka paraparë. Shumë prej tyre kanë avancuar dhe shumë prej të cilave kanë nevojë edhe për mbështetje nga niveli qendror. Si presidente, kam synim që projektet që propozohen nga Komunat e Kosovës t’i prezantojmë para partnerëve tanë ndërkombëtarë në vendet që unë i vizitoj, para liderëve të shteteve të cilët janë të interesuar që të investojnë në Kosovë dhe në veçanti të ndihmojnë projekte të cilat e ndryshojnë jetën e qytetarëve tanë për së miri”, ka thënë Presidentja Osmani.

Presidentja Osmani theksoi se kanë diskutuar në takim edhe për problemin e ujit të pijes, duke u zotuar se do të bashkëpunojë me kryetarin e Komunës në mënyrë që ky problem të zgjidhet sa më parë, duke bashkëpunuar edhe me organizata ndërkombëtare për të marrë ndihmë të drejtpërdrejtë.

“Projektet që ka nisur kryetari i Komunës do ta shndërrojnë Gjilanin në një qendër zhvillimi për shumë sektorë. Folëm edhe për arkeologjinë, edhe për bujqësinë dhe mundësitë e mëdha të agro-turizmit, planet për zonë ekonomike dhe për atë që për mua është shumë e rëndësishme – shndërrimin e Gjilanit në një model komunë të gjelbër dhe kryetari premtoi se do ta shndërrojë Gjilanin në qytetin më të pastër në Kosovë”, ka shtuar presidentja Osmani.

Në fund, kryetari Hyseni dhe presidentja Osmani kanë përuruar projektin që krijon qasje për nxënësit me nevoja të veçanta në shkollën fillore “Nazmi Hoxha”, sikurse që kanë vizituar edhe Qendrën për mbrojtjen dhe rehabilitimin e grave “Liria”, organizatën joqeveritare “Gruaja Hyjnore” dhe kompaninë për prodhimin e vajit “Floil”.

You Might Also Like