
Shkruan: Bashkim Isufi
Në vendet e rajonit dhe më gjerë, politika të tilla sociale janë zbatuar dekada më parë dhe nuk trajtohen si suksese elektorale, por si detyrime minimale të shtetit ndaj qytetarëve. Krenaria me masa kaq bazike, sipas kritikëve, dëshmon më shumë për varfërinë e vizionit qeverisës sesa për rezultate reale në zhvillimin social dhe ekonomik.
Pretendimet e disa kandidatëve për deputet se kjo qeveri është e vetmja që kujdeset për qytetarët konsiderohen jo vetëm të pavërteta, por edhe të rrezikshme, pasi e reduktojnë shtetin në instrument propagande partiake dhe minojnë konceptin e përgjegjësisë institucionale.
Politikat sociale për ndarjen e shtesave për fëmijë nuk kanë filluar në vitin 2021. Ato janë diskutuar dhe iniciuar që në vitin 2018, gjatë mandatit të Qeverisë së Kosovës të udhëhequr nga Kryeministri i atëhershëm Ramush Haradinaj. Në atë periudhë, qeveria ishte një koalicion parlamentar i përbërë nga PDK, AAK, Nisma Socialdemokrate dhe partnerë të tjerë, dhe politikat sociale ishin pjesë e agjendës institucionale.
Edhe pse këto iniciativa nuk u implementuan për shkak të rrethanave politike dhe institucionale, diskutimet konkrete për skemat sociale, përfshirë shtesat për fëmijë, kishin ekzistuar shumë më herët. Madje, deputetët e Kuvendit të Kosovës kishin rekomanduar që shtesat mujore për fëmijë të jenë rreth 10 euro për moshat 0 deri në 16 vjeç, duke parashikuar përfshirjen e rreth 500 mijë fëmijëve.
Procedura zyrtare për dhënien e shtesave për fëmijë ka nisur në vitin 2021, kur qeveria aktuale e miratoi dhe e zbatoi këtë skemë si pjesë e paketës ekonomike dhe sociale, fillimisht për fëmijët deri në moshën 2 vjeç, për t’u zgjeruar më pas deri në moshën 16 vjeç. Megjithatë, fakti që masa është zbatuar nuk nënkupton se ajo është shpikur nga kjo qeveri apo se meriton kredite ekskluzive.
E njëjta logjikë vlen edhe për pensionet. Rritja e pensioneve nuk është privilegj i një qeverie të vetme. Pensionet janë rritur edhe në mandate të mëparshme, në përputhje me mundësitë buxhetore dhe nevojat sociale.
Shtesat sociale dhe pensionet nuk janë arritje politike, por detyrim institucional ndaj qytetarëve. Krenaria e vërtetë do të ishte krijimi i vendeve të reja të punës, rritja reale e pagave, pensione dinjitoze për jetesë, arsim cilësor dhe mirëqenie e qëndrueshme për familjet, jo përdorimi i varfërisë, i fëmijëve dhe i pensionistëve si mjet propagande elektorale.
Cilado parti që do të ishte në qeverisje, dhënia e shtesave për fëmijë do të ishte e pashmangshme. Prandaj, dhënia e shtesave për fëmijë dhe rritja e pensioneve nuk është sukses i veçantë i kësaj qeverie, por një detyrim minimal shtetëror. Ta paraqesësh këtë si arritje madhore është propagandë e pastër, sidomos kur vendet e rajonit e kanë zgjidhur këtë çështje shumë vite më parë.
Mbështetja reale e qytetarëve nuk matet me slogane, por me rezultate konkrete: vende pune të qëndrueshme, paga dinjitoze, shërbime publike cilësore dhe siguri sociale afatgjatë.
Politikat sociale nuk janë pronë e asnjë subjekti politik, por përgjegjësi e përbashkët institucionale në shërbim të qytetarëve.





