OPINION

Kur nuk çmohet dija, fletë injoranca

 Fehmi SYLEJMANI –

Pena e dijetarit është më e vlefshme se gjaku i dëshmorit, apo ngjyra e harxhuar për të mësuar fëmijët është ekuivalente sa vlera e një dëshmori, apo mësuesi nuk mund të barazohet, ashtu sikur qielli që nuk mund të matet, janë disa thënie të dijetarëve të njohur botëror, që aq lartë e kanë vlerësuar, ngritur dhe peshuar arsimin dhe dijen. Teksa te ne, në Kosovë, fatkeqësisht kjo nuk po vlerësohet, nuk po çmohet, respektohet dhe nuk po mbështet, pikërisht nga politika ditore, përkatësisht nga qeveritë e deritashme, të cilat kanë milituar që nga pas lufta, e veçmas në dhjetë vjetët e fundit, që nga pavarësia.

Arsimi, një nga shtyllat kryesore dhe më të rëndësishme të një shoqërie nuk e ka merituar këtë tretman, përkundrazi është dashur shumë më shumë të bëhet për këtë fushë shoqërore. Nuk janë vetëm pagat mujore të mësimdhënësve çështje diskutabile dhe të paarritshme për qeveritë, por para se gjithash është vlera dhe tretmani i mirëfilltë dhe i duhur për një mësues të meritueshëm.

Respekt për çdo kategori të jetës shoqërore, e veçanërisht për ato kategori që i kanë dhënë këtij vendi dhe këtij populli, për të cilët ky shtet, i tillë çfarë është dhe sipas mundësive, kuptohet buxhetore, e mbase edhe përtej saj i ka vlerësuar, i ka stimuluar dhe priveligjuar me benificione prej më të ndryshmeve, e në ndërkohë cilado qeveri e deritashme dhe kjo aktuale nuk po gjejnë forcë dhe gatishmëri të sinqertë për të ndihmuar mësimdhënësit, e veçanërisht ata të viteve 90-99, të cilët e mbajtën gjallë arsimin, në kushte dhe rrethana shumë të vështira, e besa edhe me cilësi shumë më të lartë se sot. Në vend se kjo qeveri, por edhe ato të mëparshmet, këta mësimdhënës t’i shpallin heronj kombëtar dhe t’i shpërblejnë edhe me mjete materiale për atë

periudhë kohore të punës së tyre dhe me benificone tjera shtesë, duke e pas parasysh se kanë punuar edhe pa kurrfarë mjete materiale, shpesh herë duke rrezikuar edhe jetën e tyre, shfaqet absurdi i llojit të vet i ekzekutivit, një shpjegim i paimagjinueshëm dhe i pajustifikueshëm duke mos ju njohur dhe llogaritur përvoja e punës dhe nënvlerësuar mundin dhe djersën e tyre.

Një pedagogë i njohur botëror thotë se : “Padituria më e tmerrshme është ajo e të paditurit, që mendon se di, e në realitet është i mbushur me plot të vërteta të gabuara”. Zaten, sot nuk duhet çuditur pse nuk vlerësohen meritueshëm punonjësit arsimor, sepse përfshirja e politikës ditore në institucionet edukativo arsimore përmes kuadrove të politizuar e të pajisur me diploma të politizuara është krimi më i rëndësishëm që po dëmton procesin e arsimimit të mirëfilltë. Fatkeqësisht, sot të tillë kemi edhe në institucionet më të larta shtetërore, që çdo ditë po përcillen me gafe dhe skandale nga më të ndryshme.

Pra, është momenti i fundit, që kjo qeveri, por e gjithë shoqëria, jo vetëm në letër, por kryekëput në vepër, të këtë prioritet arsimin dhe të ndërmerr hapa konkretë, duke i respektuar dhe ju dhënë hakun e duhur dhe të meritueshëm të gjithë mësimdhënësve aktual e veçanti atyre të viteve 90-99.

(Autori është mësimdhënës i Matematikës)

You Might Also Like