Libri

KUR REBELOHEN MUZAT 

Mehmetali REXHEPI – Meti 

Agim DESKU: KUR TË PRANGOS MUZA (poezi); Shtëpia botuese LIBRI IM, Pejë, 2025 

Poeti Agim DESKU tashmë emër i njohur në letrat shqipe, vëllimin e tij poetik KUR TË PRANGOS MUZA e ka shtrirë gjerë e gjatë në njëqind poezi. E nis me poezinë “Puthja e Evës.” Puthja është akti më domethënës i shpërfaqjes së njerëzores dhe të së bukurës, si kategori jetësore dhe estetike. “Puthja e Evës” është një hyrje e ëmbël në jetën njerëzore që nga mitologjia. Autori nis udhë-rrëfimin e gjatë poetik me shijen fillestare të njerëzimit, por në kërkimin e vetvetes i dalin shije pelini: fshehja e së vërtetës! Poetin e presin kërkime jetike, për gjetjen e së vërtetës së rrënjëve të pararendësve, të cilat, nuk e panë dritën e sipër shtrirjes mbi dhè:  

      “Varret e luftëtarëve më ftojnë në ëndrra 

      Dhe më tregojnë të vërtetën e rrënjëve të mia”1 

Por, ku gjendet e vërteta e rrënjëve të lashta të poetit? Nuk ka masë që e ndalon kërkimin për rrënjët, nuk ka largësi, as lartësi qoftë e thikë së përpjetmes që do ta stepte gjakimin e zjarrtë të poetit… Si arrihet ai gjakim në poezinë e Agim DESKUT? Gjakimi poetik për rrënjët për të vërtetën e qenësisë së etnisë arrihet në parimin e çiltërsisë: “nëse e kërkon me zemër.” Mandej: 

“Janë nën gurët e këmbëve tua ma thonë.”2 

 Asnjë poet i mirëfilltë nuk mund të jetë i shkëputur nga përvoja e traditës dhe e sprovave të parakëve për brezat. Filozofia e etnisë mbijetoi pikërisht duke përfillë urtinë e ngërthyer në sprova me ngjashmëri të ndryshueshme, por të vazhdueshme dhe asnjëherë të njëtrajtshme. 

Frymëzimeve dhe vetëdijes krijuese të Agim DESKUT nuk mund t`i shmangej drama e fatit etnik. Në këtë vëllim poetik ajo shfaqet në trajta të ndryshme, por e pleksur me fatin dhe kundërthëniet e njerëzimit në periudha të shënuara e të papara ose qëllimshëm të lëna në errësirë nga kronologjia e historisë evropiane, si Kongresi i Berlinit e gjëma të tjera. Pra, fare qartë sedra e kësaj fryme poetike nuk mbyllet në idenë narcisoide. Këtu është shpirti dhe karakteri shqiptar dhe njeriu universal, anipse diplomacia poetit ia lë etninë cak për gjah shtrigash! 

Poeti është i vetëdijshëm se diskursi poetik për të vërtetën, në poezinë e një titullimi prozaik “Nëse e them të vërtetën”, ka koston e vet të shtrenjtë, prishjen me të gjithë ata, që do të dëshironin të mos iu rrekeshin betejave trazuese duke ruajtur qetësinë e status quos: 

“Nëse flas të vërtetën  

Ti e di se do të mbetemi pa miq të fjalës  

Ndoshta edhe pa njeriun e zemrës sime 

Kur as Ferri i Dantes s`kishte fuqi të na ndante”3 

 

MUZA HYJNESHË E REBELUAR 

Kësisoj muza e Agim DESKUT nuk e josh poetin vetëm në kërkime për magjinë e së bukurës, në kureshtjet ku mund të fshihet e bukura që ngashënjen me hiret e saj të praruara, e prirë për t`i sjell poetit përfytyrime dehjesh e përjetësi në akte galdimesh. Muza e kësaj tipologjie artistike dhe estetike shfaqet pa ngurrueshëm, për ta vënë në pah mistifikimin e së vërtetës për “Hyjnitë pellazgjike”, për Këngën e Moresë, që e mbajti dhe e mbanë gjallë në shekuj dhimbjen e tkurrjes së etnisë. Kjo muzë e përqafimit të anasjellash, së toku e kanë shtyrë njëri-tjetrin të përngjasohen në thellësitë mitike të rrënjëve duke iu bashkuar rebelimit “për të vërtetën e zemrës” dhe, poeti pa as më të voglin hezitim e shfaq gatishmërinë identifikuese me karakterin e këtillë të muzës, duke iu bindur asaj si një Hyjneshe të patjetërsueshme.  

Përngjasimi i poetit me muzën rebele dhe bashkë kërkimtarë gjurmësh e hapësirash arkeologjikë, onomastikë e lashtësi qytetëruese, kërkim-gjetja e një përngjasimi të tillë bio-etnik, u përshkua nga etje ndjesish, kureshtjesh të pleksura gjithandej  “për të bukurën e mbetur peng shpirti!”Mësymjes për dëshmi të lashta kundruall të pabindurve, madje çuditërisht pandalshëm iu zgjerua gama e përkatësive perëndive mitike të poetit që, i dëshpëruar ende nuk i përgjigjen identifikimit të etnisë së tij? Poeti dëshpërohet, por nuk nënshtrohet ndaj u rri përballë shtrëngatave. Ku e merr forcën përballuese ky poet? Ndoshta pse kishte pirë qumësht të tillë muzash rebele dhe, ato ia shtonin e zmadhonin gjenet e shijeve, mundësinë për gjetje të vetvetes së humbur në kohëra barbare. Ndaj, kërkimet poetike për bëmat e lashta dhe të reja, pagane dhe moderne, për rikthimin e ëndrrave në zhgjëndrra  nuk mund t`i ndalte. Madje, përse t`i ndalonte kur poeti nuk kishte “liri të tokës e të shpirtit?” 

Kërkimeve të pandalshme për ta forcuar besimin, varg thurësi e flaku dyshimin për lirinë në gjendjen e saj të “mosqenë.” Dilema e poezisë së poetit në pikë-caqet kahes së lirisë, po përtrollitej në vazhdimësinë e muzës dhe pa të, mbase edhe pa subjektin shpirt dhënës, ngaqë muza do të jetojë “në zemrën e luftëtarit të lirisë.” Pengu i shpirtit të poetit për lirinë përmbushet te muza që e gjen strehën e vet të duhur. Muza poetike, kësisoj nga mendësia e mjedisit të autorit dhe relievi i ndodhive epike, plekset në prehjen e herë pas të hershme të përmbushjes lirike. Lirika shndërrohet në bashkë-shkrirëse të rebelimeve e të kryengritjeve epike. Hapësirën e shtrirjes së pamjeve dhe të përfytyrimeve imagjinare në tërë vargimin e vëllimit KUR TË PRANGOS MUZA, e përmbushin qarkullimet e rrjedhave të lëngshme të ujit kristal të krojeve të lirikës së Agim DESKUT. 

 

GJITHËKOHËSIA E FENIKSËVE 

Gama e motivimeve në librin KUR TË PRANGOS MUZA është e gjerë dhe e natyrave të ndryshme, qoftë të sferës etike, mitologjike, e tragjedive të tmerrshme në kapërcej shekujsh, e ndëshkimeve të natyrës, si Vezufi përkatësisht Pompe, e politikës së qarqeve të sferave grabitqare të interesit: luftërat botërore, paragjykimet raciste e plojat çnjerëzore si: holokausti mbi hebrenjtë, Srebrenica e boshnjakëve, Masakra e Tivarit, Meja e Gjakovës… E hasim përfytjen e paradokseve dhe absurdeve historike, ringjalljet e feniksëve nga gjenet dhe gjaku i patretur, i përmasave të urtisë e flijimit si Shën Tereza, frymëmarrje e dashuri ngadhënjyese mbi ndasitë klasore, si Romeo e Zhuljeta, shenjtorë pararendës të krishterimit si Shën Albani, poetë prijatarë si Homeri… Trinia e guximit dhe bëmave të krenarisë: Gjergj Kastrioti, Hasan Prishtina, Plaku i Pavarësisë, pastaj Oso Kuka që shëmbëllyen për brumosjen e një përmase unike të guximit e të sakrificës antologjike, e sublimuar në legjendarin Adem Jashari. Poeti prek dhe, përmbushet nga forca e gjenit epik, që edhe në zgripe disfatash i jep shtytje epopeja heroike e Gjergj Fishtës. 

     Të gjitha këto figura etike dhe etnike, legjendare dhe të përbotshme, poetit nuk i shërbejnë si ilustrime kthesash e periudhash, mendjesh përcaktuese epokash, para të gjithash janë ngjizje gjenetike e frymëmarrje e përmasës sipërore të njerëzores; janë etika, epika, lirika dhe estetika e përsosmërisë që e shquan sojin njerëzor. Këso shëmbëlltyra dhe të tjera të kategorisë sublime estetike, varg thurësi Agim DESKU i përdorë ndërfutshim në kontekste trajtash të shprehjes së ideve poetike apo si reflektime shumëzore, të një trajte ose të morisë së trajtave për ngrehinën e mëvetësishme artistike.  

 

DASHURIA DO TË MBIJETOJË 

Ku e ku i shqetësuar për zhvlerësimin e vlerave etike e të fateve njerëzore, pena i këtij poeti pikturon shëmtinë e njeriut në përballjet e përditshme me pafytyrësi e ligësi të shtuara: 

“Dikur jetohej vetëm për dy gisht fytyrë.” 

Gjerësia e kapjeve motivuese e varg-qëmtuesit DESKU, është ai reliev pamor ndjenjash e shpërfaqjesh enigmash, bukurish vrastare e mahnitëse të Alpeve Shqiptare, luginash e fushëgropash, ku shpirtëzohen legjendat përmes cikleve të ripërtëritshme të bartjes mbi krahët e dallëndysheve të lirikës pranverore të Mjedës.  

Duke ndjekur sintaksën e lidhjeve, me ngjyrime figurative, lidhjet e fjalëve nëpërmjet togfjalëshave hasën dendësi kumtesh e kuptimesh brenda tyre, si: dashuritë e marra, dashnor i Venedikut, Kohë e gjarprit, syri i keq, prè lirie të pritjes, murtajë e zezë, botë mëkatare, shtet në shtet e të tjera. 

Në raste jo të rralla frymëzimet e poetit ndodhen mes antitezave të frikës dhe shqetësimit. Përse i ndodh kjo natyrë kaq shqetësuese poetit tonë? Pa dyshim tablotë e përfytyrimeve ciklike të plojave çnjerëzore janë të thadruara në shpirtin e poetit, ngaqë dashuria e pakufishme e tij për njeriun, sikur ia shtojnë zhytjen e përhershme në shkak pasojat e tërbimit çnjerëzor mbi sojin e njeriut të urtë. Një shqetësim të natyrshëm e sheh në qëllimet grabitqare dhe djallëzore të njeriut mbi njeriun dhe, poetit frika i bëhet dukuri e pashmangshme: 

“Kam frikë se do të flasim me gjuhën e gjarprit!” 

E keqja është përcjell te njeriu që me futjen e hershme në gjenetikën e tij. Ajo është shtrirë në çdo kënd ku frymon njerëzorja. Por, vargu i kontrastit antonimik di të bëjë dallimin: 

“Vetëm dashuritë do të jetojnë”4 (Koha e gjarprit) 

Një konstatim i përgjithësuar kësisoj, pason si kundërpeshë e ngërthesës së drojës në shqetësimin e ngritur të vargut sipërthënës. Poezia së cilës po i qasemi dashurinë mëton ta ngre në shkallën sipërore të njerëzores. Madje, në konceptin për poezinë, poeti DESKU vargut ia ngarkoi misionin e shenjtë: 

“Krijo çdo çast të bukurën  

Kohën mos e le si lis me koruben” 

Poeti duke qenë sovran i vargut të tij, nuk ndalet me kaq, ngaqë vargut ia përcakton edhe çfarësinë e cilësinë e krijimit: 

“Mos krijo 

Për ëndrrat  

Kur s`kanë liri”5 (Poeti)  

Mirëpo, shtohen dilemat: ku e merr atë lëndë elikziri poeti për t`i ringjallur dashuritë e arratisura nga shpirtrat njerëzorë? Elikzirin për shërimin e shpirtrave të plagosur nga ushtrimi i trajtave të së keqes, vargjet që po i fusim si rruaza në perin e syrit, invencioni krijues i kap veçse në thellësi të fjalëve. Në aso fjalësh të nxjerra nga fjalësi poetik i shpirtit. Vetëm ato kanë mrekullinë e shërimit të dhimbjes së shpirtrave të lënduar, të trishtuar, të frikësuar dhe të poshtëruar. Vurratat e dhunës mbeten tatua të pashlyera të barbarisë! Me gjithë qasjet e poetëve sado të ndjera, të përzgjedhura, pajtuese dhe skofiare nuk prekën pandjeshmërinë barbare! Çfarë shpirtrash bastardë?! Vijon tërbimi ndërnjerëzor?! Ku të gjendej shpëtimi i bukurisë së urtisë? Poetët kishin harruar komunikimin me Perëndinë… Shumëçka i lihej stihisë, mëshirës së flakur dhe shpresës për të dëshiruar… Atëbotë, varg-thurësi ynë përmes një apostrofe thirrmore, lutjen e tij poetike ia drejtoi të Madhërishmit të botëve: 

“Ruaj o Zot poetët dhe ndritua vargun te hyjnitë!”6 

 

KONOTACIONI METAFORIK  

Vëllimit poetik KUR TË PRANGOS MUZA i mungojnë ndarjet në cikle. Si duket autori kishte parasysh kompozicionin e koherencës në tërësinë e shtruar të tekstit poetik. Ky libër vjen pas një përvoje të gjatë krijuese të autorit të tij, sprovave të jetës dhe të bukur shkrimit. Aty- këtu reflektimet poetike ndonjëherë e humbin shkëlqimin; atëherë kur metaforat dhe simbolika, i lëshojnë vendin e nderit ideve përkufizuese dhe, ia japin mundësinë shprehëse urtisë së bëmave ekzistenciale: 

“Diçka çka është e huaja  

Kurrë nuk u bë jona”7 

Gjuha ironike godet ironikisht psikologjinë e mjedisit, i kapluar nga shpirti i korruptuar, nga mënjanimi i vlerave dhe parimeve, nga smira dhe një varg dobësish e vesesh brenda karaktereve të amullta, të pikturuara me ngjyra të natyrës gegërishte: 

“Sot duhet të jesh i vdekur 

Për me të dashtë si njeri të mirë 

Dhe gënjeshtar për t`u besue”8 (Epitaf)  

Në tërësinë e shtrirjes së lëndës poetike, këtë libër e përshkojnë gjetje qëmtimesh stilistike, metaforike e simbolike dhe fryma thellësisht njerëzore. Pra, përkushtimi i poetit për mbizotërimin e së këndshmes te njeriu, i identifikuar me më të mirat e gjeniut njerëzor, por paradoksalisht fare pak të përtrollitura si zbatime mirësish të prekshme, të kapshme, si shije të zbërthyera, të përjetësuara, të përgjithësuara për njerëzimin?! 

Le t`i piketojmë vetëm disa thurje me konotime metaforike për gjatë tekstit të shpaluar, për të vënë në pah dendësinë e metaforave në gjithë shtrirjen e librit artistik që kemi në duar: 

Dje ra shi në plagën time”; “prè lirie të pritjes”; “të marr dritë nga drita e tij”; “Atdheu ia mund dashurinë e mikes”; “Botën ta shndërrojmë në aromë Trëndafili të Çamërisë”; “Për mua pranverat ishin acarët e janarëve vrastarë”; “Sonte u tha e vërteta pse ra shi/ Nesër vallë a do të ketë diell për lulet?”; “Pse s`dinë për plagët e luftëtarit as të dhimbjeve të poetit?”; “Për bukurinë tënde zotat i kanë nisur betejat”; “Nuk kam ma, çka i fali Evropës, veç eshtrat e mi”; “Kohët kurrë nuk i patëm për vete…” 

 

POEZIA QË FRYMON NJERËZOREN 

Duke lexuar, vëmendshëm nga vargu në varg, në poezinë e kësaj përmbledhjeje poetike, autorin e shohim në pozicione të ndryshme shpirtërore. Disa vargje lutjesh të poetit Zotit për uratën e bashkimit shpirtëror të popullit, lënë përshtypjen e një të shprehuri të përshpirtshëm. Mirëpo, pashmangshëm në shumësinë e vargjeve nuk shpëton të mos e takosh togfjalëshin në “vargun tim rebel.” Frymëzimi është shtysa e shfaqjes dhe e kapjes së ndjenjave. Jo çdo herë varg-thurësit ideja figurative do t`i përkojë logjikës së ftohtë të arsyes si kategori filozofike e mendjes. Por, ndjenjat e poetit nuk mund t`i gjykosh si të pa taban njerëzor; ato kanë tundimet e veta dhe mënyrën e shfryrjes së mllefit ngasë: 

“Sa herë e vrasim heshtjen me gotën e rebelit 

Të dehur na bëjnë mëkatet e botës së pistë”9 

Kështu, vijmë në përfundimin se poetit i duhen pozicionime të përshpirtshme dhe rebeluese në këtë botë nëpërkëmbjesh, i lindur me të qara dhe përmbyllur me dhimbje të qarash. Poeti kishte arsye fondamentale të ishte i këtillë çfarë është, sikurse poezia e tij: 

“Se isha rob i secilit perandor që vinte në këto anë 

Kur secili perandor mua më quante robi im”10 

Pozita e robit ia dëftonte poetit ëndrrat për çfarësinë e dukjes, gjakimet e prekjes dhe të shijes së lirisë, dukshëm e apostrofuar në gjithë gjatësinë, thellësinë dhe sipërfaqen e shtjellimit artistik në këtë libër. Pamundësia e robit e shpinte në shfryrje trajtash të dhimbjes, në rebelimin shpirtëror dhe, në diçka që mbetej mbi syprinë, mbi të përshpirtshmen, mbi rebelimin, mbi nënshtrimin e dhimbjen që është krenaria. 

Këso shpërfaqje motivesh që emocionojnë dhe, e ngrehin në vertikale të ecjes idenë ekzistenciale të njeriut tonë, janë trajta të një poezie që lartëson denjësinë etike dhe etnike, të pleksur më të bukurën, më të madhërishmen, epikën e lirikën, tragjiken e të keqen gjithëkohore dhe, gjithsesi heroiken e njerëzores.  

Thënia poetike e poetit të librit KUR TË PRANGOS MUZA është kryesisht e bindshme dhe bindëse, jo kurdoherë pa përsëritje idesh dhe pa një prani të stilit retorik, madje të përsëritur.  

Lexuesi i pasionuar pas së bukurës dhe për ngadhënjimin e saj, qasjen nuk do ta mbyllte në stilin: “Në emër të vargut që fundin e ka veç dhimbje” (Hyji). Më së miri le t`ia lëmë përmbylljen e këtij diskursi poetit DESKU: 

“Fryma ime është kudo 

Në tokë e qiell 

Dhe në varg e diell 

Kudo që jam aty është fryma”11  

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Gjilan, kallnor 2025 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

You Might Also Like