Gjilan

Kuvendarët e Gjilanit diskutojnë për lokacionin e varrezave, por nuk marrin asnjë vendim

Gjilan, 9 dhjetor Kuvendi Komunal i Gjilanit është mbledhur sot në një seancë të jashtëzakonshme për të diskutuar rreth lokacionit të ri të varrezave, që është planifikuar në lagjen Zabeli, por po kundërshtohet nga opozita.

Shpresa Kurteshi Emini, kryesuese e Kuvendit, tha se kjo seancë është ftuar me kërkesë të 15 këshilltarëve komunalë nga PDK, VV, PSD, VATRA dhe këshilltarët e pavarur, për të diskutuar rreth lokacionit të ri të varrezave.

Kuvendi ka zhvilluar një debat të gjerë dhe polarizues, në momente edhe me tensione, por nuk ka marrë asnjë vendim tjetër, duke e lënë të hapur çështjen për diskutim edhe në ndonjërën nga seancat e ardhshme.

Palët ishin dakord se qyteti i Gjilanit ka nevojë urgjente për zgjidhjen e problemit të varrezave, meqë në ato ekzistuese nuk ka më vend për varre, por dallimi ishte te lokacioni.

Opozita këmbënguli në ndërrimin e lokacionit, duke kërkuar formimin e një komisioni të ekspertëve, i cili do të identifikonte tri lokacione më të përshtatshme dhe pastaj Kuvendi do të vendoste për njërin nga propozimet.

Ndërkaq, sipas pozitës nuk ka nevojë për ndryshime, sepse janë respektuar të gjitha procedurat dhe se ky projekt është përfshirë edhe në planin zhvillimor komunal në këtë lokacion.

Po ashtu u tha se ky lokacion, në sipërfaqe mbi 10 hektarë, i është dhënë komunës së Gjilanit nga qeveria e Kosovës për varreza dhe ndryshimi i destinimit nënkupton humbje të kësaj hapësire.

Riza Abdyli (PDK) ka thënë se lokacioni ku kanë filluar punimet për varrezat e reja, nuk i përmbush kriteret për një destinim të tillë, ndërsa edhe parcelat janë private. Prandaj, ka thënë Abdyli, ne si opozitë kërkojmë stopimin e menjëhershëm të planit dhe formimin e një komisioni, i cili do të identifikojë hapësira më të përshtatshme dhe do të vijë në Kuvend me tri propozime.

Kurse Nevzad Isufi (VV) tha se ky lokacion nuk i plotëson aspak kriteret për varreza dhe as nuk e zgjidhë problemin në periudhë afatgjatë. Për më tepër, lokacioni i tashëm është pronë private në pjesën më të madhe të saj.

Avdyl Aliu (LDK) tha se për këtë vendim janë respektuar të gjitha procedurat, të cilat kanë filluar nga viti 2003, lokacioni është përfshirë edhe në plan zhvillimor komunal me këtë destinim, ndërkohë që ia rikujtoi Nevzad Isufit se ai ka konflikt interesi në rastin konkret.

Ai tha se nuk është e dinjitetshne që varrezat të dërgohen në një hapësirë të padinjitetshme, siç po propozohet nga opozita e sotme, e cila vetë e ka hartuar dhe miratuar këtë plan rregullues më herët.

Gjatë seancës pati edhe ndërhyrje nga pjesa e publikut, çka e detyroi kryesuesen të reagojë duke paralajmëruar mundësinë për ndërprerje të punimeve, nëse vazhdohet me ndërhyje të tilla.

Bujar Nevzati (PDK) tha se nuk jemi në vitin 2003, por në vitin 2020 dhe prej atëherë kanë ndodhur shumë ndryshime dhe ky lokacion nuk i plotëson më kushtet për varreza. Nevzati tha se gjetja e një lokacioni më të përshtatshëm nuk është interes i një individi, as i një subjekti politik, por është interes i përgjithshëm afatgjatë.

Sali Fazliu, drejtor për Kadastër, ka sqaruar të gjitha procedurat se si ka ardhur deri te ky vendim, duke thënë se në kohën kur është planifikuar, këto parcela kanë qenë shtetërore.

Tani jemi duke vepruar sipas vendimit të qeverisë së Kosovës, e cila këtë hapësirë ia ka bartur Komunës për nevoja të saj zhvillimore, tha ai.

Sqarime shtesë ka dhënë edhe drejtori i Urbanizmit, Bekim Bajrami, i cili tha se planifikimi është bërë në përputhje me procedurat ligjore dhe ky lokacion i plotëson kriteret për një periudhë 70 vjeçare.

Varrezat atje do të bëhen sipas një plani model në Kosovë, ka thënë Bajrami.

You Might Also Like