Gjilan

Kuvendarët e Gjilanit formojnë grupin konstultativ për modifikimin e draft-rregullores për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës në administratën komunale

Gjilan, 12 qershor 2025 – Kuvendi i Komunës së Gjilanit, në seancën e sotme të udhëhequr nga Kushtrim Kadriu, që është e gjashta e rregullt për këtë vit, ka formuar një grup konsultativ prej njëmbëdhjetë anëtarësh, për modifikimin e draft-Rregullores për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës në administratën komunale, e cila pritet të miratohet në seacën e radhës.

Paraprakisht, në këtë pikë, shefat e grupe të partive opozitare (LDK-PDK), kanë thënë se për draft-rregulloren ka vërejtje nga disa zyrtarë komunalë të disa dikastereve për kategorizim dhe se, sipas tyre, është diskriminuese në disa raste, derisa shefja e grupit të LVV-së tha se Kuvendi nuk mund të krijojë komision për këtë çështje, pasi theksoi se kjo është kompetencë e kryetarit të Komunës, i cili, sipas saj, ka qenë profesional dhe e ka kryer punën si duhet.

Në këtë aspekt, Burim Kryeziu, udhëheqës i Njësisë së Personelit, tha se kjo Rregullore është shumë komplekse, në të cilën rregullohet statusi i punëtorit dhe koeficienti, për të shtuar se përmirëson dukshëm statusin dhe koeficientin e zyrtarëve komunalë.

Por, ai ka deklaruar se është e mirëseardhur që Kuvendi ta bëjë punën e tij dhe propozimet të harmonizohen me draftin e prezantuar, për t’u aprovuar më pastaj.

Në këtë seancë, Kuvendi ka anuluar vendimet 01.Nr.016-35296/25 për aprovimin e kontratës mbi ndërtimin e përbashkët në pjesët e ngastrave kadastrale nr.4790-1  dhe 5450-4 prona komunale, ZK Gjilan dhe 01.Nr.016-35310/25 për aprovimin e kontratës mbi ndërtimin e përbashkët në pjesët e ngastrave kadastrale nr.4406-0  dhe 4781-0 prona komunale, ZK Gjilan.

Kuvendarët e Gjilanit, po ashtu, kanë miratuar rishqyrtimin e vendimit 01.Nr.016-35314/25 për lejimin e këmbimit të pronave  të paluajtshme të komunës me pronën e  paluajtshme të Kadrush Sylës nga Gjilani, rishqyrtimin e vendimit 01.Nr.016-35323/25 për lejimin e këmbimit të pronës  së paluajtshme të komunës me pronën e  paluajtshme të Hisnije Halimi nga Zhegra dhe rishqyrtimin e vendimit 01.Nr.016-35328/25 për lejimin e këmbimit të pronës  së paluajtshme të komunës me pronën e  paluajtshme të Nexhmedin Ibrahimi nga Përlepnica, të cilat i ka arsyetuar drejtori për Kadastër, Bekim Salihu.

Kuvendarët e Gjilanit kanë miratuar edhe vendimin e Komisionit vlerësues për fatkeqësitë natyrore, të cilin e ka arsyetuar drejtori Ali Arifi, ndërsa kanë shtyrë për seancën tjetër raportin e punës së kryetarit për vitin 2024, raportin financiar janar-dhjetor 2024, raportin janar-mars 2025, ndarjen e mjeteve financiare për subvencionimin e lehonave, raportin  e komisionit për emërtimin e rrugëve dhe raportin e komisionit për vlerësimin e figurave.

Në këtë seancë kanë dhënë kontributet e tyre me pyetje, kërkesa e rekomandime edhe asambleistët Avdyl Aliu, Bujar Nevzati, Besnik Shala, Gentrit Murseli, Ardhmërie Musliu, Afërdita Balaj, Krenare Latifi-Kqiku, Ekrem Kryeziu, Sami Ahmeti, Arianit Sadiku, Ismajl Kurteshi e Ramiz Ramadani, të cilëve u është përgjigjur nënkryetarja e Komunës, Leonora Morina Bunjaku dhe drejtorët komunalë, Shpend Nuhiu, Enver Shabani e Kushtrim Ibrahimi.

You Might Also Like