Gjilan

Kuvendarët e Gjilanit formojnë Komisionin për ndarjen e bursave për studentë

Gjilan, 31 korrik 2025 – Kuvendi i Komunës së Gjilanit, nën udhëheqjen e Kushtrim Kadriut, në seancën e të enjtes, e cila është e fundit e rregullt para pushimeve verore,  ka miratuar vendimin për formimin e Komisionit për ndarjen e bursave për studentë me përbërje nga të gjitha partitë politike, derisa ka shtyrë për një seancë tjetër raportin financiar janar-qershor 2025.

Gjatë seancës së sotme, Kuvendi ka miratuar edhe raportin e Komisionit për shqyrtimin e kërkesave dhe ankesave në procesin e emërtimit të rrugëve, të cilin e ka prezantuar Blerim Haziri (VV), iniciativën për ndërrimin e destinimit të parcelave të Bllokut “H” nga PRRU “Qendra-1”, kërkesën për aprovimin e vlerësimit të dëmeve nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësistë tjera 2025 dhe kërkesën e OVL UÇK-së për shpalljen Nderi i Qytetit të dy veteranëve të luftës, Pajazit Zymberi dhe Fatmir Mehmeti.

Ndërkaq, me kërkesë të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), Kuvendi ka anuluar vendimet nr. 01.016-35338/25 për caktimin e lokacionit dhe ndarjen e sipërfaqes së tokës për kullën muze “Agim Ramadani” në Zhegër, 01.nr. 016-48266/25 për lejimin e këmbimit të pronës së paluajtshme të komunës me pronën e paluajtshme të Kadrush Sylës në lagjen “Dheu i Bardhë”, 01.nr. 016-48303/25 për lejimin e këmbimit të pronës së paluajtshme të komunës të Hisnije Halimit nga Zhegra dhe vendimin 01.nr. 016-48307/25 për lejimin e këmbimit të pronës së paluajtshme të komunës me pronën e paluajtshme të Nexhmedin Ibrahimit nga Përlepnica.

Në këtë seancë, Kuvendi ka anuluar edhe Rregulloren për sistematimin e vendeve të punës, pasi kryesuesi Kadriu tha se nuk janë përmbushur afatet ligjore, duke thënë se e njëjta do të procedohet për votim pas pak ditësh.

Ndërkohë, Korniza Afatmesme Buxhetore KAB 2026-2028, e cila u propozua nga shefja e grupit të VV-së, Krenare Latifi Kqiku, është shtyrë për seancën e shtatorit.

Në këtë mbledhje, përmes pyetjeve e rekomandimeve kanë kontribuar edhe asambleistët, Avdyl Aliu, Bujar Nevzati, Krenare Latifi Kqiku, Ekrem Kryeziu, Ismajl Kurteshi, Latif Maliqi, Gresa Avdiu, Muhadin Haziri, Gentrit Murseli, Sami Ahmeti, Nazim Gagica e Arbër Musliu, të cilëve u janë përgjigjur drejtorët komunalë, Hekuran Rapuca, Kushtrim Zeqiri,  Bejtulla Osmani, Bekim Salihu e Ali Arifi.

———————————————————————————————-

Mbledhja VIII e Kuvendit të Komunës është transmetuar drejtpërdrejt në formatin live stream në faqen zyrtare të Komunës së Gjilanit në facebook dhe në mediat lokale.

You Might Also Like