Gjilan

Kuvendarët e Gjilanit miratojnë buxhetin për vitin 2026 në shumën prej afër 42 milionë euro

Gjilan, 9 janar 2026 – Kuvendi i Komunës së Gjilanit, në seancën e jashtëzakonshme të udhëhequr nga Krenare Latifi-Kqiku, ka miratuar buxhetin për vitin 2026, me 33 vota për dhe asnjë kundër.

Paraprakisht, shtyllat kryesore të buxhetit i ka prezantuar kryetari i Komunës, Alban Hyseni, i cili ka bërë të ditur se buxheti për vitin 2026 është afër 42 milionë euro (41.928.924).

Ndërkohë, gjatë debatit, buxhetit i kanë dhënë përkrahje paraprakisht Besnik Shala (VV), Nazim Gagica (AAK) e Naser Arifi (Guxo), me disa kërkesa specifike për investime komunitare, ndërkaq opozita Gentrit Murseli (LDK) dhe Riad Rashiti (PDK), kanë shfaqur kritikat e vërejtjet e tyre, ku votimin e buxhetit e kanë kushtëzuar me inkorporim të dhjetëra projekteve të ndryshme komunitare.

Pas takimit me përfaqësuesit e subjekteve politike, kryetari i Komunës, Alban Hyseni, ka thënë se janë dakorduar që tetë nga 20 kërkesat e LDK-së të inkorporohen në buxhet në vlerë prej 764 mijë euro, së bashku edhe me kërkesën e partisë Guxo për rregullimin e parkut në Miresh, kurse për kërkesat e PDK-së, me theks të veçantë për varrezat e qytetit, theksoi se janë dakorduar që të inkorporohet në kuadër të bartjes së buxhetit në muajin shkurt, përkatësisht për rritjen e buxhetit për këtë projekt.

Në këtë seancë kanë kontribuar me kërkesa, kritika e rekomandime edhe asambleistët, Muhadin Haziri, Sami Ahmeti, Bujar Nevzati. Fitim Guda, Fatos Ramadani, Liresë Kosumi, Burhan Isufi, Gresa Avdiu e Bujar Nevzati.

Për më tepër, në seancën e sotme e ka dhënë betimin anëtari më i ri i Kuvendit, Renan Imam, ndërkaq Kuvendi ka zgjedhur edhe nënkryetarin për Komunitete, Kadir Hysein.

You Might Also Like