Gjilan

Kuvendi Komunal i Gjilanit ka mbajtur seancë solemne për nder të 15 qershorit – Ditës së Çlirimit

Gjilan, 15 qershor 2022 – Kuvendi Komunal i Gjilanit, nën udhëheqjen e kryesuesit Arianit Sadiku, ka mbajtur sot seancën solemne për nder të 15 qershorit, Ditës së Çlirimit të Gjilanit, në të cilën ka marrë pjesë edhe kreu i Komunës, Alban Hyseni, përfaqësues nga niveli lokal e qendror, përfaqësues nga shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së, përfaqësues të Universitetit “Kadri Zeka”, policisë e FSK-së.

Kryesuesi i Kuvendit, Arianit Sadiku, ka thënë se Dita e Çlirimit është njëra prej ngjarjeve më të rëndësishme të komunës sonë.

“Ardhja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në qytet ka sjell lirinë, edhe shpirtërore e edhe mendore”, ka thënë Sadiku.

Kryetari i Komunës, Alban Hyseni, ka thënë se sakrifica e popullit të Kosovës dhe përpjekjet për liri përfunduan në qershorin e vitit 1999.

“Luftës së armatosur mes UÇK-së dhe forcave serbe po i vinte fundi. Sakrifica e një populli dhe përpjekjet për liri po përfundonin në qershor 1999. Me dekada burgjet ishin të mbushura plot. Shumë tortura, përndjekje e persekutime. Përjetimet janë të trishta dhe do të qëndrojnë gjatë në memorien tonë kolektive. Më 15 qershor, kur paqëruajtësit e NATO-së së bashku me ushtarët e UÇK-së shkelën në Gjilan, qytetarët fyrmuan të lirë”, ka thënë kryetari Hyseni.

Ai tha se pas 23 vjetësh, si drejtues të institucioneve lokale së bashku me Qeverinë e Kosovës, po punojnë parreshtur për të ecur përpara dhe për të përmbushur porosinë e të rënëve, për të nderuan vendin për gjeneratat e ardhshme.

“Është detyrë e jona që të angazhohemi në krijimin e mundësive për ata që vijnë pas. Vetëm me punë dhe dashuri për vendin nderojmë të rënët dhe punojmë për ata që janë të gjallë. Gëzuar Dita e Çlirimit”, ka thënë kryetari Hyseni.

Ish-komandanti i Zonës Operative të Karadakut, Ahmet Isufi, është shprehur se pas të gjitha përpjekjeve nëpër periudha të ndryshnme, Ushtria Çlirimtare të Kosovës kurorëzoi idealin e një formimi të një Republike, të një shteti, një vendi të lirë e të pavarur.

“Kur i kujtojmë këto ditë na rrembjnë emocionet për dëshmorët, për bashkëluftëtarët që ranë në beteja e që u bënë themel i lirisë sonë. Kush nderon dëshmorët, nderonë të kaualren, nderon lirinë e sotme, nderon edhe amanetin e brezave për kombin tonë”, tha Isufi.

Zëvendësministri i Mbrojtjes, njëherësh ish-zëvendës komandant i Zonës Operative të Karadakut, Shemsi Syla, tha se madhështia e datës së sotme, ra rikthen jo vetëm në të kaluaren tonë të 40 viteve të fundit, por të kaluaren e brezave, të baballarëve e nënave, gjyshërve e stërgjyshërve tanë. Na rikthen në të kaluaren e brezave që u përballën me furtunat e pashembullta në historinë e popujeve liridashës, që bënë gjithçka për të mbijetuar nga shfarosja, asimilimi dhe deportimi i plotë nga tokat e të parëve tanë”.

Në këtë seancë solemne është shfaqur një video e Ditës së Çlirimit të vitit 1999, të ardhjes së UÇK-së në Gjilan.

You Might Also Like