Klubi i Volejbollit Drita nga Gjilani ka humbur edhe ndeshjen e dytë finale ndaj KV Skenderajt, por kësaj radhe fitorja sikur iu vodh nga gjyqtarët, të cilët në momentet kyçe dolën në skenë dhe nxorën nga ritmi ekipin që drejtohet nga Lorik Ilazi.
Volejbollistet e Dritës që luajtën shumë dobët në ndeshjen e parë, edhe të dytën e nisën keq, ngase që në start vendaset udhëhoqën me 4:0, 11:7, 19:15 dhe në fund morën setin e parë me rezultat 25:19.
Në setin e dytë, Drita nisi të luajë shumë mirë dhe e dërmoi plotësisht ekipin e Skenderajt. Mysafiret e nisën furishëm setin, duke dalë ne epërsi 5:1, 10:4, 17:8, 20:11 dhe në fund i kufizuan vendaset në 13 pikë, duke barazuar me rezultat 1:1 ndeshjen në sete.
Edhe seti i tretë i takoi mysafireve nga Gjilani, të cilat po udhëhiqnin me rezultat 18:12 dhe kur u afruan për të fituar setin, në tri raste, kur duhej të arrihej kuota e pikëve 25, në skenë dolën gjyqtarët, sa anësori i djathtë, gjyqtari i dytë, bile edhe kryesori, që topat që ishin jashtë me vendimet e tyre i fusnin brenda, futjen e dorës brenda zonës së ngritësit e marifete të tjera dhe faktikisht i dhanë setin vendaseve, nxorën nga ritmi lojtaret mysafire, por edhe kryetrajnerin Lorik Ilazi, kurse gjyqtari kryesor kthente kokën anash në reagimet e kryetrajnerit Iliazi. Vendaset këtë set e “fituan” me rezultat 27:25 e mysafireve iu prenë këmbët dhe në setin e fundit ishin tërësisht jashtë çdo elementi dhe e humbën edhe setin e katërt me rezultat 25:20 e KV Skenderaj pas fitores u kap në valle.
Për Dritën mbetet edhe një fije shprese, ngase kampion i Kosovës shpallet ekipi që i fiton tri ndeshje, kurse tashti rezultati është 2:0 në dobi të Skenderajt.
Ndeshja e radhës luhet në palestrën e Sporteve “Bashkim Selishta – Petriti”. /kryelajmi.com/.