Sportet me dorë

KV Drita – meshkujt, një hap drejt finales së madhe

Drita ka bërë një hap të madh drejt finales së Play-Offit në Raiffeisen Superligën e Kosovës për meshkuj, duke triumfuar në një përballje dramatike ndaj Skënderbeut në ndeshjen e parë gjysmëfinale.

Takimi i zhvilluar në “Palestrën e Re” në Lipjan u mbyll me rezultat 2:3 për mysafirët nga Gjilani, pas pesë seteve tejet të luftuara: 20:25, 25:17, 25:23, 21:25, 15:17.

Drita e nisi furishëm ndeshjen duke fituar setin e parë, por më pas Skënderbeu u rikthye fuqishëm për të përmbysur rezultatin në 2:1 në sete.

Megjithatë, përvoja dhe qëndrueshmëria e Dritës u shfaqën në momentet vendimtare.

Skuadra gjilanase arriti ta fitojë setin e katërt dhe më pas edhe atë vendimtarin me rezultat të ngushtë, duke ia rrëmbyer fitoren vendasve.

Kjo ishte ndeshja e parë në serinë gjysmëfinale. Skuadra që arrin e para dy fitore kualifikohet në finalen e madhe të Play-Offit.

You Might Also Like