Gjilan

LDK: Neglizhenca që po bëhet në punimet e rrugëve Gjilan – Bujanoc dhe Gjilan-Ferizaj është e papranueshme

Neglizhenca që po bëhet në punimet e rrugëve Gjilan – Bujanoc dhe Gjilan-Ferizaj, është e papranueshme.

Shefi i këshilltarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, z.Avdyl Aliu, dhe anëtarja e Kuvendit Komunal, znjsh. Gresa Avdiu, sot kanë mbajtur konferencë për medie rreth raportit financiar për 3 mujorin e parë të vitit dhe për problemet e mëdha infrastrukturore në komunë, sidomos në hyrje-daljet e qytetit. 

Aliu para medieve tha se buxheti komunal nuk është realizuar as për së afërmi sa është dashur të realizohet. Vetëm 3.54% e buxhetit komunal për investime kapitale është realizuar, e Zyra e Kryetarit e cila ka planifikuar vetëm 30.5€ për investime kapitale, nuk ka arritur t’i shpenzojë as ato. 

Realizimet në drejtoritë komunale janë tejet të ulëta. Drejtoria e Shërbimeve Publike, Drejtoria e Arsimit, Drejtoria e Shëndetësisë, Drejtoria e Bujqësisë dhe Pylltarisë, Drejtoria për Mbrotje dhe Shpëtim dhe Drejtoria e Administratës nuk kanë realizuar asnjë cent për investime kapitale në 3 mujorin e parë të vitit. 

Në fund, Aliu kërkoi që të rikthehet praktika e mirë e transparencës në lidhje me shpenzimin e parasë publike, sepse deri më tani Komuna jonë është përfituese e mijërave euro grante për transparencë nga partnerët dhe donatorët e Komunës sonë. 

Më tutje, për problemet e mëdha me hyrje-daljet e qytetit foli këshilltarja Gresa Avdiu. 

Avdiu para medieve tha se është e papranueshme neglizhenca që po u bëhet punimeve në rrugën Gjilan-Bujanoc, deri në hyrje të fshatit Përlepnicë dhe në rrugën Gjilan-Ferizaj, përkatësisht në fshatin Livoç. Premtimi se këto projekte do të realizohen në korrikun e vitit të kaluar, mbeti vetëm fjalë, e tash pothuajse 1 vit pas nuk janë as për së afërmi perfundimet e këtyre projekteve. 

Për 1 muaj ne fillojmë të presim bashkëatdhetarët tanë që marrin rrugën për në vendlindjen e tyre, e kaosi që pritet të bëhet sidomos në rrugën Gjilan-Bujanoc për shkak se është rrugë qe lidh kufirin, do jetë i paevitueshëm. 

Në emër të LDK-së, Avdiu bëri thirrje që Ministria e Infrastrukturës dhe kryetari i Komunës së Gjilanit të shtrijnë autoritetin e tyre tek operatori dhe intensiteti i punimeve të rritet e këto projekte të finalizohen deri në muajin qershor. 

Për ngecjet e këtyre projekteve, sot është mbajtur edhe një protestë tek rruga Gjilan-Bujanoc, të cilën LDK e Gjilanit e ka përkrahur dhe ka qenë pjesëmarrëse. 

You Might Also Like