Ish-futbollisti i mirënjohur Shemsedin Abazi, i njohur nga të gjithë si “Shema”, ishte një nga sulmuesit më të mirë jo vetëm të klubeve gjilanase, por edhe të futbollit kosovar gjatë viteve ’70 dhe ’80. Si alo e djathtë e C. Zvezdës së Gjilanit dhe më vonë e Dritës, ai ishte i pamëshirshëm për portat kundërshtare, duke u shpallur edhe golashënuesi më i mirë i kampionatit në sezonin 1979-80.

Gjatë karrierës së tij, ai pati oferta të shumta dhe joshëse, por asnjëherë nuk e tradhtoi qytetin e tij të Gjilanit, duke dhënë rininë dhe gjithçka që kishte për të mirën e sportit vendor. Përveç suksesit me klubet, Abazi ishte anëtar i Reprezentacionit të Kosovës për vite me radhë, duke dëshmuar se ishte një futbollist i kalibrit të lartë që ngrinte peshë tifozët me shpejtësinë dhe driblingjet e tij karakteristike.
Sot, në moshën 74-vjeçare, Shemsedin Abazi ndodhet në një gjendje të rëndë shëndetësore dhe pa një kulm të sigurt mbi kokë. Kushtet e tij ekonomike po përkeqësohen çdo ditë, pasi jeton në një banesë me qira ku i duhet të kalojë 70 shkallë për të arritur në banesë, gjë që shëndeti i tij i dobët nuk e lejon.
I mërziur për këtë situatë, Abazi tregon vështirësitë e tij të përditshme: “Jam me banesë me qira, për të mbërritur në banesë më duhet t’i kaloj 70 shkallë që shëndeti im nuk mund t’i durojë. Bëhen nganjëherë nga tre muaj që nuk dal nga banesa për shkak të shkallëve, pasi unë në shpinë mbaj vazhdimisht pompën e frymëmarrjes, e cila është e cilësisë së dobët dhe e vjetëruar.” Përveç izolimit fizik, ai zgjohet çdo ditë me ankthin se do të mbetet edhe pa atë banesë ku strehohet.
Në vitin 2019, Institucionet Lokale të Komunës së Gjilanit e kishin shpallur Shemsedin Abazin “Nderi i Qytetit”, por sot ai ka nevojë që ky vlerësim të kthehet në ndihmë konkrete në momentet më të vështira të jetës së tij.
Duke reflektuar mbi të kaluarën dhe gjendjen aktuale, Abazi thekson me shpresë.
“Gjithçka që pata gjatë rinisë sime ia dhashë qytetit tim dhe Kosovës dhe për këtë jam shumë krenar. Me kalimin e kohës, tani kushtet shëndetësore e ekonomike më kanë mërzitur shumë dhe çdo ditë po i humb shpresat për një jetë më të mirë, por unë kam shumë besim se institucionet komunale dhe qytetarët e Gjilanit e më gjerë do të më dalin në ndihmë.”
Të gjithë ata që kanë mundësi ta ndihmojnë ish-futbollistin Shemsedin Abazi, mund të kontribuojnë në xhirollogarinë e NLB BANK: 170 200 321 847 6945 ose ta kontaktojnë drejtpërdrejt në numrin e tij personal 044 710 567.





