Libri

LETRAT, THESARE TË ÇMUARA TË NJË AMANETI

MA. Donjeta Kryeziu
LETRAT, THESARE TË ÇMUARA TË NJË AMANETI
( Një vështrim për romanin më të ri të shkrimtares Sabile Keçmezi – Basha, “45 LETRA PËR MARTINËN”, botoi sh.b. ROZAFA, Prishtinë, 2025)
Romani “45 letra për Martinën” (Një biografi romanore për babain tim), i autores Sabile Keqmezi-Basha, ndahet në 45 letra ku secila mbart në vete një kujtim, një dëshmi që si tërësi marrin trajtën e një testamenti të gjatë të shkruar nga babai i saj. Një dashuri që shkon shpesh përtej logjikës, përtej reales, Martina bëhet jo vetëm personazh, por një ngushëllim, një shpresë dhe mbi të gjitha ajo do të jetë një arsye që babai i saj do të dokumentojë çdo përjetim në letër.
Letrat janë një formë që njihen edhe si epistolare, që zakonisht i shkruhen dikujt që e njohim, dikujt me të cilin do të ndajmë përjetimet tona, por edhe dikujt që zakonisht presim një përgjigje, e babai i Martinës nisi t’i shkruante letrat në burg, si një “ikje” nga torturat, nga jeta e zymtë dhe e pashpresë e burgut, më pas ato letra do të bëhen gjëja më e vlefshme që kishte.
Babai i Martinës në letrën e parë do të shkruante kështu:
“E dashura vogëlushe, ende nuk ke ardhur në këtë botë, por e ndjej praninë tënde në çdo frymëmarrje të kësaj jete të mbushur me sfida.”
Babai i Martinës po i drejtohej një qenie të palindur, një qenie që nuk e kishte njohur këtë botë, e bënte këtë se kishte nevojë t’ia rrëfente dikujt ato nëpër të cilat po kalonte apo thjesht kishte aq shumë shpresë se një ditë do të dilte nga ai burg do t’i lindtte me të vërtetë një vajzë që do ta quante Martinë. Këto dy mendime kishin një lidhje të pashkëputshme sepse secili njeri në rrethanat e tij të ekstremit kishte nevojë për një vend, një njeri ose edhe thjesht një mendim që do t’i sillte paqe e do ta ngushëllonte, e babai kishte zgjedhur ta krijonte në mendjen e tij Martinën, si një strehë, një vend apo një person të cilit do t’i rrëfehej pa frikë.
Hetuesia dhe burgu i gjatë
Një ideal e kishte mbajtur gjallë çdo shpresë, e kishte mbajtur të lidhur Lirin, ajo ëndrra se një ditë vendi i tij do të ishte i lirë, kjo dukej si një utopi e largët, por këtë mendim nuk hezitonte ta shprehte hapur, t’ia shprehte Martinës së tij. Torturat në burg dhe marrja në pyetje edhe për arsyet më banale ishin rrëfimet që babai i kishte shkruar me detaje për Martinën.
“Oh, janë disa që të rrjepin për së gjalli.”
Kjo frazë që për shumëkë do të ishte një frazë thjesht sa për të thënë, për babain e Martinës ishte një përjetim, ishin torturat që fillimisht ia lanë brinjët e thyer e më pas ia morën dy gishta, ia morën vitet e bukura të rinisë, e si përfundim ia morën edhe jetën në mënyrë tragjike.
Letrat për Martinën ishin një thesar i çmuar që Liri e mbante me shumë fanatizëm, nuk donte t’i ndante me askënd, por më e mira është se nuk u dorëzua së shkruari edhe kur i kishte brinjët e thyera, edhe kur jeta kacafytej me vdekjen nga torturat e shumta, edhe kur ishte thellësisht i pashpresë, ai nuk ndaloi së shkruari.
Në jetën e Lirit kishte shumë episode tragjike e vuajtje të panumërta, por episodi më i ndjeshëm dhe më i dhimbshëm do të mbetet vdekja e Bardhit, mikut të tij të idealit, mikut që ndan shumëçka mandje i ndan edhe ëndrrat e njejta për Shqipërinë e Madhe.
“Bardhin e morën mbrëmë, e kishin shkallmuar, si të ishte një bishë. E kishin rrahur aq keq, sa nuk po njihte më asgjë, as vetveten. Nuk është në qelinë tonë, por është afër. E dëgjoj frymëmarrjen e tij të rënduar, që vjen si një peshë e padukshme përmes mureve.
….Sa e hollë është ajo fije që na ndan nga bisha, nga ajo shëmtirë, që rri në errësirën e brendshme të shpirtit njerëzor.”
Çdo torturë e prekte thellë në shpirt Lirin, babain e Martinës, por kjo që ia bën mikut të tij më të mirë la gjurmë të pashlyeshme në kujtesën e tij. Liri ishte një djalë shumë i ri, por idealin, dashurinë për atdheun e për mikun e kishte shumë të madhe, andaj vuajtjet dhe më pas vdekja e mikut të tij Bardhit, ishte një nga kujtimet më të hidhura që do të gdhendte në mendjen e tij.
Miqësia me gjermanin “engjëllin mbrojtës”
Miqësia si një ndjenjë, një përjetim është një nga gjërat më të mira, por për Lirin babain e Martinës, kjo ndjenjë shpesh shndërrohet në vuajtjet më të mëdha në ato ambiente ku edhe një fjalë, një miqësi përdorej kundër teje. Historia e miqësisë me Hansin, gjermanin, me të cilin Liri ndante qelinë e njejtë u shndërrua në një lidhje të veçantë sepse ai nuk mbeti vetëm një mik që fillimisht nuk i kuptonte gjuhën, por u bë një baba i dytë e një “engjëll mbrojtës” siç e quan babai i Martinës në letrat e tij. Miqësia e Lirit me Hansin u shndërrua në një simbolikë, në një lidhje të veçantë që veq ata të dy e kuptonin, gjermani e mbronte, e mësonte të shkruante e të lexonte dhe Liri ia kthente me shumë përkushtim e respekt.
“Ai xhemper, me ngjyrat e tij të ngrohta, u bë një simbol i lidhjes sonë, një kujtim i një miqësie që lulëzonte mes hijeve të vështira të jetës në burg. Ajo mbështetje e thjeshtë më dha forcë, si një flamur që valëvitet me krenari mes stuhisë.”
Miqësia me Hansin u bë kujtim i përjetshëm në jetën e Lirit, por si gjithçka që e gëzonte Lirin kishte një përfundim tragjik edhe Hansin e larguan nga ai burg për ta dërguar diku tjetër e babai i Martinës mbeti sërish i vetëm mes hienash.
Jeta familjare: lumturia e pakët dhe vuajtjet e shumta
Babai i Martinës ishte një njeri i çeliktë, të paktën në të gjitha letrat ku rrëfente përjetimet e tij kishte vuajtje, sprova e shumëçka tjetër, por asnjëherë nuk flitej për dorëzim apo humbje vullneti e shprese për jetën. Lumturia ishte një ndjenjë që babai i Martinës e kishte përjetuar, por asnjëherë për shumë gjatë sepse gjithmonë fati kishtë përgatitur një kalvar vuajtjesh e përjetimesh të këqia.
Rikthimi në shtëpi Lirin e kishte pritur me çaste lumturie, deri sa e përjetoi në shpirt varfërinë e familjes, lajmin se babai e xhaxhai i kishin vdekur, e shumë vuajtje kur u detyrua të gjentepunë për të mbajtur familjen. Martesa për të ishte një çast lumturie sepse për fat kishte një grua të mirë, të ndershme Zojën.
Martina nuk kishte lindur ende, burgu për babain kishte përfunduar, por ai vazhdonte t’i shkruante asaj që ende nuk e kishte njohur, asaj që ende nuk ishte formuar, por babai i shkruante Martinës, ndante çdo moment të lumtur e të hidhur me të sepse kjo formë që ai kishte zgjedhur do të dokumentonte çdo gjë, do t’i linte ato letra si trashëgiminë më të mirë të një babai për fëmijën e tij. Para Martinës lindi Bardhi, ai ishte jetëshkrurtër e kur Martina erdhi në jetë, Zoja, gruaja e tij u bë jetëshkurtër, por babai i Martinës nuk u dorëzua sepse tani kishte më në fund Martinën atë që e kishte imagjinuar me vite, bijën e tij së cilës i kishte rrëfyer gjithçka, Martina kishte një histori ekzistence të gjatë ende pa u krijuar, ende pa lindur, ajo ishte pjesë e imagjinatës, mendimeve, përjetimeve e letrave të babait.
Lidhja e pashkëputshme: baba- vajzë
Çdo baba i do fëmijët e tij, sakrifikon për ta gjithçka nga jeta e tij, por dashuria që baba Liri kishte për Martinën, është një ndjenjë e një përjetim shumë ndryshe, ai e donte Martinën edhe pse ajo ishte thjesht një krijim i imagjinatës dhe ëndrrave të tij, ai i fliste bijës së tij për gjithçka, i rrëfehej edhe për ndjenjat më të imëta e më personale, e kjo është një dashuri e veçantë.
“Të dua, Martinë. Fjala ‘të dua’ nuk mund të përmbledhë gjithë atë që ndjej për ty. Je burimi i forcës sime, drita që më udhëheq në errësirën e këtij vendi.”
Në përfundim të çdo letre, që shpesh përcillte shumë vuajtje, babai nuk harronte t’ia shprehte dashurinë Martinës, sepse ajo ishte vetë forca e shpresa e tij, ajo ishte një shpresë që ai e kishte krijuar, ishte një ide e një person para se të lindtte, ishte Martina, pushka që babai nuk e kishte, por që u jetësua më vonë.
Vepra “45 letra pë Martinën (Një biografi romanore për babain tim)”, ngërthen në vete ndjenjat, vuajtjet e përjetimet dhe një dritë shprese për jetën. Të gjitha përjetimet e torturat e babait të Martinës nëpër burgjet serbe janë një dëshmi e një testament i fuqishëm për vuajtjet e popullit shqiptar nëpër burgjet Jugosllave, për luftën e idealit të bashkimit me Shqipërinë e për lirinë e munguar. Kjo vepër nuk është vetëm një biografi për një baba të një vajze, kjo vepër është një dëshmi për të gjitha përjetimet, është një dëshmi për rrethanat në të cilat kanë jetuar shqiptarët gjatë kohës së okupimit serb. Siç thotë edhe babai i Martinës: “Duhet të jesh e ditur”, më përsëriste shpesh, “jo vetëm për veten tënde, por edhe më shumë për të tjerët”.
_____________________
(E lexuar në veprimtarinë përuruese të këtij romani, në kuadër të edicionit të gjashtëmbëdhjetë, “Vjeshta letrare e Gjilanit”, mbajtur më 6 dhjetor 2025, ora 12:00, në bibliotekën e qytetit, “Fan S. Noli”, në Gjilan)

You Might Also Like